LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët nuk jetojnë pa mite e pa legjenda!

Shqiptarët nuk jetojnë pa mite e pa legjenda!
Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

Shoqëritë me më pak traditë demokratike, si kjo e jona, më shumë janë të prira që jetën politike ta ndërtojnë duke e bazuar në besim, në opinion, në atë që quhet ‘opinion i turmës’, sesa në fakte. Së këndejmi, besimin e vet politik shpeshherë ua dhurojnë pa kushte ‘paradigmave’ të caktuara politike.

Në skenën e teatrit tonë politik jemi duke e ngjitur një paradigmë tjetër, shumë e përafërt për nga koncepti (miti) me presidentin dhe komandantin “legjendar”. Tash në epiqendër është ‘politikani legjendar’. Shqiptarët nuk duan të mbështeten në arsyen, si medium kryesor i komunikimit me politikën. Preferojnë mitet. I duan legjendat.

Bartësit e paradigmës së re politike premtojnë pastërti morale, zhdukje të së keqes, të krimit dhe korrupsionit. Në aspektin emocional, ky është një postulat politik shumë tërheqës. Ata nuk kanë prioritet të veprimeve politike zgjidhjen e problemeve praktike dhe konkrete të individit dhe të shoqërisë kosovare. Ekziston një prioritet tjetër politik, më madhor: duan të ndërtojnë një shtet të ngjashëm me atë të Kronit të helenëve të lashtë, ku s’ka korrupsion, nepotizëm, mafi…

Por, para se të bëjnë këtë, duan ta pastrojnë skenën politike nga “maskarenjtë” që rastësisht kanë qëlluar të jenë edhe armiqtë e tyre politikë. Ka prej tyre që nuk kanë durim të presin votën. Ftojnë për një pranverë ndryshe kosovare; thërrasin për revolucion; për përmbysje të rendit kushtetues përmes forcës. Sipas tyre, kjo është një e ‘keqe e domosdoshme’, sepse, siç thonë ata, ‘dëmet kolaterale të aksionit nuk do të jenë më të këqija se dëmet që janë duke i ndodhur Kosovës’. Duket sikur s’ka durim, s’ka moderim. Ka veç epsh për pushtet.

Së fundmi, shumë besojnë që krijimi i ‘besimtarëve politikë’, deri në përmasa religjioze, është shumë rrënues për një shoqëri si kjo e jona. Kjo sepse besimtarët rrallë e gjejnë veten e tyre në pozitë për të dyshuar dhe për të shtruar pyetje e dilema, sesi veprohet e si duhet vepruar. Madje, janë të bindur se nuk kanë nevojë fare të dyshojnë, sepse mënyra e duhur e veprimit gjithmonë është e përcaktuar nga dikush tjetër. Vendimet dhe veprimet politike kurrë nuk duhet bërë objekt i shqyrtimit kritik. Thjesht, ato duhet vetëm institucionalizuar.

Kam frikë që shqiptarëve edhe njëherë po u dërgohet një mesazh i gabuar: ju nuk keni nevojë për përgjegjësi individuale; ajo duhet t’i bartet liderit dhe grupit. Vetëm ata e dinë se ç’është mirë për ne të gjithë!

Mbi doktrinën e “komandantëve legjendarë”: Ne ju kemi çliruar, shteti neve na takon!
Lexo po ashtu Mbi doktrinën e “komandantëve legjendarë”: Ne ju kemi çliruar, shteti neve na takon!
Tribalizmi dhe politika ndër shqiptarë
Lexo po ashtu Tribalizmi dhe politika ndër shqiptarë