LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët e veriut nuk e paguajnë rrymën pa e paguar edhe serbët

Shqiptarët e veriut nuk e paguajnë rrymën pa e paguar edhe serbët

Në murin e shtëpisë së Skender Sahitit që nga paslufta është e vendosur një kornizë e hekurt ku do të duhej të ishte njehsori i energjisë elektrike. Por, tash e shumë vjet korniza vazhdon të mbetet e zbrazët. 

Njehsorët e rrymës për të dhe shumicën e banorëve në fshatin Gushavc të Mitrovicës janë të vendosura në rrugën kryesore. Kjo punë u përfundua vetëm pas marrëveshjes me Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS.


Një gjë e tillë ka ndodhur në fshatin Gushavci dhe disa fshatra ngjitur që gjeografikisht i përkasin pjesës veriore nuk e paguajnë rrymën, ngjashëm me banorët serbë.  Në marrëveshjen e 7 prillit me Alpin Doga, kryeshef Ekzekutiv i KEDS-it, thuhet se rryma do të paguhet vetëm pasi të zgjidhet problemi me katër komunat veriore, raporton RTV Dukgagjini.

Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për energjinë
Lexo po ashtu Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për energjinë

Marrëveshje për këtë çështje ka, por banorët e Gushavcit prapë presin veprime konkrete.

“Ne presim që të zbatohet në teren përndryshe për neve derisa nuk ka zbatim është marrëveshje e papranueshme dhe si e tillë nuk na obligon edhe neve që ta paguajmë rrymën”, deklaron kryetari i fshatit, Skender Sahiti.

Sahiti këmbëngul se pa e paguar faturën secili serb në veri nuk vjen në shprehje pika 2.2 në marrëveshje.

“Deri në zgjidhjen e çështjes së pjesës veriore të Mitrovicës në lidhje me pagesën për energjinë elektrike konsumatorët e fshatit Gushavc, KEDS- nuk do të bëjë shkyçjen e konsumatorëve nga rrjeti i KEDS-it për energjinë e konsumuar dhe energjinë do ta konsumojnë deri në marrëveshjen për pjesën veriore. Borxhi i akumuluar deri në kohën e marrëveshjes me pjesën veriorë të Mitrovicës do të përfshihet në marrëveshjen me pjesën veriore të Kosovës”, thuhet në dokumentin e Skender Sahitit.

Qëndrimin e përfaqësuesit të tyre e mbështesin edhe banorët e Gushavcit.

“Në ditën e parë që serbët fillojnë me e pagu energjinë elektrike ne në ditën e dytë fillojmë me e pagu rrymën. Ne e mbështesin përfaqësuesin e fshatit tonë në çdo qëndrim që ai e thotë”, deklaron Muhamet Hajra.

Marrëveshje të njëjtë me KEDS-in kanë nënshkruar edhe përfaqësuesit e fshatit Vinarc.

“Edhe një herë qëndrimi jonë i qartë dhe nuk ka ndonjë qëndrim tjetër. Kur të paguajnë serbët e pjesës veriore atëherë edhe ne jemi të gatshëm të paguajmë si çdo qytetar i Republikës së Kosovës. Përndryshe gjendja mbetet sikurse që është momentalisht”, shprehet përfaqësuesi i fshatit Vinarcit i Epërm, Lulzim Hasani.

Edhe përfaqësuesi i Vinarcit të poshtëm, Shkelzen Jashari tha se mbështetë qëndrimet e parafolësve. Këtyre fshatrave në fillim të vitit KEDS-i iu kishte dhënë ultimatum për shkyçje nëse nuk e paguajnë rrymën. Kërkesë që u shpërfillë përmes protestave nga banorët, për çka u arrit marrëveshja e 7 prillit. /Dukagjini/