Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti nuk ka konfirmuar nëse sonte do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se vendimi për thirrjen e saj i takon kryesuesit të seancës.

Pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun, Kurti u pyet nëse seanca do të vazhdojë gjatë mbrëmjes, ndërsa u përgjigj se kjo do të bëhet e ditur në orët në vijim.


“Ju e dini që unë jam vetëm kryeministër në detyrë dhe nuk jam kryesues i seancës konstituive. Seanca konstituive e Kuvendit ka nisur dje dhe kur vazhdon vendos kryesuesi i seancës. Nuk kam ndërmend ta takoj, pasi kam shumë punë dhe takime”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se, përveç takimeve me liderët politikë, është i angazhuar edhe me detyrat e përditshme qeveritare.

“Pa dyshim që në këto orë të pasdites do ta kuptoni a do të thirret vazhdimi i seancës apo jo”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Kurti e lidhi vazhdimin e procesit të konstituimit me arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, duke argumentuar se pa një dakordim të tillë vendi rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje.

“Nuk është në çështje konstituimi i Kuvendit të legjislaturës së 11-të. Ne e kemi mundësinë që menjëherë ta zgjedhim kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë, pasi i kemi 62 vota, por nëse i zgjedhim e nuk e zgjedhim presidentin, shkojmë në zgjedhje të reja”, u shpreh ai.

Sipas Kurtit, për këtë arsye nuk ka kuptim të vazhdohet me zgjedhjen e institucioneve pa u zgjidhur paraprakisht çështja e presidentit.

“Pa u marrë vesh për çështjen e presidentit nuk ka arsye të zgjedhim kryesinë, kryetarin dhe qeverinë”, deklaroi lideri i LVV-së.

Duke folur për postin e presidentit, Kurti tha se preferenca e LVV-së mbetet një figurë konsensuale, ndërsa shtoi se, nëse presidenti do të ishte partiak, atëherë sipas tij ky post i takon partisë fituese të zgjedhjeve.

“Asnjëherë presidenti nuk ka qenë nga opozita. Preferenca jonë e parë është presidenti konsensual, e kur vjen te presidenti partiak jemi ne... Le të mos zgjedhim president partiak, por një figurë akademike. Besoj që ka dhjetëra të tillë”, përfundoi Kurti. /Telegrafi/