LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët dhe Kosova e Oliver Schmitit

Autori austriak që merret me studimin e historisë së shqiptarëve dhe i cili bëri bum me veprën e tij mbi Skënderbeun, i cilësuar shpesh si kontrovers dhe i sulmuar e kritikuar nga kolegët e tij shqiptarë, Oliver Jens Schmitt, vazhdon të sfidojë me veprat e tija, por edhe me guximin e tij intelektual.

Dy veprat e tij më të fundit janë dëshmi për këtë, “Shqiptarët. një histori mes Lindjes dhe Perëndimit”, si dhe “Kosova, një histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”. Përmes një përshkrimi që për mua është shumë sfidues dhe i guximshëm, autori në veprën e tij të parë fillon me elaborimin e tezës së historianit kroat Millan fon Shufflaj, i cili në çerekun e parë të shekullit XX zhvilloi tezën sipas së cilës shqiptarët përbëjnë “monadën e Ballkanit”, ngase në historinë e tyre vjen e bashkohet në miniaturë krejt historia e Ballkanit – që nga lashtësia me elementet e veta të vjetra ballkanike, greke, romake, sllave dhe osmane, krishterimi katolik dhe ortodoks, islami sunit dhe ai dervish… thjesht vijnë e mblidhen të gjitha këtu. Shufflaj skicon edhe tezën e simbiozës serbo-shqiptare të dëshmuar mirë nga burimet, e sidomos ato mesjetare.


Sipas Shmittit, i pari dijetar perëndimor që ka ngritur teori mbi prejardhjen shqiptare dhe gjuhën e tyre është Gottfried Wilhelm Leibniz. Sipas tij, historia shqiptare deri në shekullin XIX është domen i interesimit të dijetarëve gjermanë, ndoshta mbase edhe përqasja e Shmittit për të studiuar historinë tonë vërteton këtë. Shmitt po ashtu përmend edhe Jakob Philipp Fallmerayerin, historian dhe publicist gjerman, i cili para 150 vjetësh ka studiuar çështjet themelore të historisë shqiptare.

Në periudhën antike emri Alban sipas Shmittit del vetëm një herë në përmendjen e një qyteti Albanopolis dhe një malësie (greq. Albanoros). Në burimet e dokumenteve, shqiptarët shfaqen së pari herë në shekullin XI, ndërsa si grup që veprojnë së bashku ata shfaqen në shekullin XIV kur emigrojnë në Greqi. Në të njëjtën kohë Shmitti shprehet se shqiptarët nuk janë “popull kulture” ngase nuk kanë pasur kurrë bashkim politik.

Schmitt po ashtu shpjegon se ndërrimi i emrit nga “arbër” në “shqiptar” ndodhi në vitin 1700, ndërsa e njëjta sipas tij është veçanti evropiane. Nocioni shqiptar sipas tij vjen nga shqipja, shqiptoj, flas qartë.

Sipas Schmittit, shqiptarët edhe pse ishin me përbërje të ndryshme fetare, përsëri përkrahnin njëri-tjetrin. Shembull për këtë është Pashko Vasa, i cili edhe pse ishte katolik, funksionar i lartë në Perandorinë Osmane, qysh më 1879 skiconte programin hapësinor të Lëvizjes së Re kombëtare shqiptare.

Emri Albania rishfaqet sipas Schmitit në shekullin XI si emërtim i një grupi etnik, albanoi ose arvanitaj, ndërsa më vonë rreth vitit 1100 edhe si emër vendi nga greqishtja Arbanon, pak më vonë në latinisht si Albanum dhe serbisht si Arban (emër i popullatës arbanas), ndërsa në “Les chansons des Roland” (Këngët e Rolandit) shqiptarët na shfaqen si “Albeigne”. Fakte interesante më tutje na jep Schmitt. Ai thekson se klerikët katolikë shqiptarë e emërtonin Kosovën që në atë kohë qartazi bashkëbanohej nga shqiptarë, deri në shekullin XVII, si “Serbi”. Ky fakt me të vërtetë më shokoi.

Sipas Schmittit, ata që më së shumti janë marrë me gjuhën shqipe janë gjermanët. Kësisoj, themelues i albanologjisë është Johann Georg von Hahn, konsull austriak në Janinën epirote dhe në Siros të Detit Egje. Teza e vijimësisë iliro-shqiptare, e cila sipas Schmitt është e vjetër, në formë të përpunuar u paraqit së pari më 1778 nga dijetari suedez Johann Thunmann, mësimdhënës në Halle, ndërsa në shekullin XIX ajo tezë hyri në diskutimin e përfaqësuesve të kombëtarizmit shqiptar në shekullin XIX.

Sipas Schmitt ekzistojnë disa teza për prejardhjen e shqipes : 1. Që shqipja vjen nga ilirishtja, përfaqësohet prej historianit Georg Stadtmuller, i cili qysh më 1942 përpunoi tezën “e trevës së Matit”. 2. Që shqipja ka prejardhjen nga trakishtja, me përfaqësuesin më të njohur historianin nga Friburgu, Gottfried Schramm, i cili argumentoi se populli dak i besëve u kristianizua në Antikitetin e vjetër si dhe se kishte pasur një gjuhë të vetme kishtare. 3. Sipas Thunmanit, shumë pak gjë ka mbetur prej ilirishtes, andaj është aq e pamundur ta rindërtosh atë. Sipas tij ka tregues për vijimësinë iliro-shqiptare, po dëshmi nuk mund të sillen. Për të spekuluese janë edhe devijimet nga trakishtja.

Schmitt duke vënë në theks kritik (vlerësues) edhe luftërat e Skënderbeut sjell fakte interesante. Sipas tij, në luftërat e Skënderbeut ndodhi humbje popullsie mes 2/3 dhe 3/4 të banorëve. Në zonën e sundimit të tij numri i fshatrave kishte rënë nga 178 (më 1431) në 90 (më 1467), ndërsa numri i vatrave familjare nga 2029 në 407.

Kur arrihet te rregullimi i kodeve zakonore, Schmitt tregon se shqiptarët përdornin Kanunet si formë të rregullimit të marrëdhënieve njerëzore. Kësisoj, Shqipëria e Mesme Veriore përdorte “Kanunin e Lekë Dugagjinit”, Shqipëria e Mesme “Kanunin e Skënderbeut”, në Malësi të Madhe në Veri përdorej “Kanuni i Malësisë së Madhe” dhe “Kanuni i Papazhulit” (Labërisë) në Shqipërinë Jugperëndimore. Këto të dhëna Schmitt i merr nga Shtjefën Gjeçovi, i vrarë nga serbët më 1929. Por, sipas Shmittit shqiptarët përmes Kanunit, respektivisht tek dispozitat e gjakmarrjes dhe hakmarrjes, humbnin shumë. Ai për këtë përdor të dhënat e baronit hungarez Nopcsa Franz, si njeri i parë që regjistroi statistikisht pasojat e Kanunit, sidomos përmasat e gjakmarrjes. Kësisoj në Prusi, nëse më 1914 në 100 mijë banorë ndodhnin 1.9 vrasje, në Bavari 2.7, në Serbi 18, në Shqipëri të Veriut kjo arrinte në 60. Ndërsa, vetëm në hapësirat e Shkodrës më 1863 kërcënoheshin 2000 burra.

Schmitt përpos këtyre argumenteve tejet të vlefshme që lexuesi mund t`i lexojë, ofron edhe të dhëna të tjera që janë tejet të rëndësishme, ndoshta për historiografinë shqiptare. Sipas tij, arvanitasit ortodoksë që do të kryeministronin me Greqinë janë: Kiço Xhavella, Jorgos Kunturiotis, Antonios Kriezis, heroina e deteve Bubulina… Këta luftuan kundër osmanëve për Greqinë, ndërsa në anën tjetër kemi shqiptarët në poste të lartë të Perandorisë Osmane.

Mandej, duke analizuar fenomenin e diskursit mbizotërues tek shqiptarët, term ky të cilin e përdor edhe Nathalie Clayer, studiuese e famshme franceze e njohur me librin e saj “Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë”, diskurs ky që flet për atë që servohet nga Rilindja Shqiptare, tregon që termi Rilindje është i marrë nga italianët të cilët kishin të njëjtin përfytyrim (Risorgimento) ose tek bullgarët (Varazdane), ndërsa argumenton se Rilindja shqiptare në fakt nuk ishte asgjë tjetër përpos Lindje, duke përdorur figurat mitizuese të së kaluarës.

Libri i cili është i strukturuar mjaft mirë dhe ofron radhitje taksative të argumenteve, i dedikuar për secilin dashamirë të leximit, në fund përfundon me një mesazh tejet interesant nga autori. Ai është se në çerekshekullin e fundit shoqëritë shqiptare (pra në shumës shoqëritë e jo shoqërinë) janë hapur mjaft dhe janë lidhur ngushtë njëra me tjetrën transterritorialisht më shumë se asnjëherë. Pra, autori zhvillimin ndaras të shoqërive shqiptare, për shkak të faktorëve historik, e sheh jo s një pengesë për bashkim, po përkundrazi, e sheh si një persistencë dhe vokacion të theksuar nga vet shqiptarët për bashkim kombëtar.

Ndërsa, tek libri tjetër, “Kosova, një histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”, autori sikur përdor një stil pak më neutral ndaj çështjes së Kosovës, mirëpo në fakt ai nuk mbështetet edhe aq në nxjerrje të fakteve dhe në përdorim të tyre. Ai e ngushton dhe e redukton aq shumë problemin e Kosovës. Shkojmë me radhë.

Kësisoj fillimthi ai nxjerr në pah konceptet konkurruese të historisë shqiptare dhe serbe, përmes figurave të interpretimit, dhe atë : 1. Autoktonia – grupi im është që moti banor këtu. 2. Prioriteti kohor – grupi im ka qenë së pari këtu, 3. Vazhdimësia e banimit – grupi im ka banuar përherë në këtë territor. 4. Epërsia kulturore – përkatësisht rasti serb. 5. Misioni i civilizimit – grupi im ka vlerë më të madhe kulturore dhe civilizuese nga tjetri, që llogaritet si barbar.

Duke shkoqitur në kontinuitet etapat e ndryshme historike, ku herë njëra palë sundon mbi të tjerat, e herë tjetra, autori tregon se varësisht nga interpretimet e ndryshme mund të arrihet në konstatime që në Kosovë herë shqiptarët e herë serbët kanë sunduar njëri me tjetrin, po asnjëherë nuk kanë bashkëjetuar si duhet. Krejt në fund, mesazhi i tij, varësisht nga qasja dhe interpretimi i tij me të cilin mund të mos pajtohem, është se historiani nuk ka të drejtë të bëjë parashikime për të ardhmen. Ai vetëm mund të konstatojë dhe vlerësojë dukuritë e së kaluarës. Ndërsa, aksioma e diplomacisë që duhet patur nga secili është se “fajtor nuk është ai që e thotë gënjeshtrën, por ai që e beson”.

E, nëse pretendohet se Schmitt mund të ketë plasuar gënjeshtra, ashtu si shprehen disa, le të mos i besojmë ato, po halli im është se çka nëse ato janë të vërteta?