LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria – u ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët

Shqipëria – u ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët

Faik Konica

Korrespondenca e mikut t’one të kthiellt, Francesco Argondizza, që “Dielli” boton në numër të sotmë, na heq përsëri vërejtjen mi reziqet që e rethojnë Shqipërinë. Kur popujt dëshërojnë paqe dhe kërkojnë marëveshje e mëiqësi në mes tyre, aventurierët e politikë nërkombëtare si Mussolini dhe Pashicci e shkojnë kohën duke bërë plane për të turbulluar qetësin e botës, për të derdhur përsëri gjak, dhe për të shtuar mjerimet që rendojnë si plumb i nxehtë në kurriz e në shpirt të njerëzisë. Nuk është punë aq e lehtë të prishet një Shtet i vendosur, dhe s’duhet të na trembet aqë shumë syri. Atë lakmi çakalle që kanë sot, fqinjtë t’anë e kishin dhe die.


Ish më lehtë të prishej die se sa sot Shqipëria; më lehtë në kohë të Konferencës së Parisit, kur Shqipëria nuk ish edhe e njohur si Shtet dhe armiqt’ e saj flisjin si shokë dhe aliatë të nderuar të Fuqive të Mbëdha mundëse, se sa sot që Shqipëria jo vetëm është një Shtet i njohur po mer pjesë dhe në Lidhje të Kombeve. Pastaj, ka sot n’Evropë burra si Radicc-i i Kroatisë dhe Morel-i i Inglisë, fytyra fisnike që përfaqësojnë ndërgjegjjen e njerëzisë dhe zëri i të cilëve, i shtrënguar të heshtë gjer die nga gishtërinjt’ e hekurt të despotismave e të çensurave të lindura nga lufta, dëgjohen tani anë mb’anë të botës dhe janë të zotët të bashkojnë për veprim gjithë forcat morale të dheut. Jo. Nuk besoj se Shqipëria është në rezik, – të pakën jo dhe për shumë kohë. Po kjo s’do të thotë se jemi të siguruar në çdo rast dhe në çdo mënyrë. Asnjë Shtet nuk është i siguruar plotësisht dhe pa konditë.

Nuk është nevojë të kërkojmë shëmbëlla në histori të shkuar, arrin të hedhim një sy në historin’ e sotme, për të kuptuar se Shtetet, si njerëzit, lindin, riten dhe vdesin, – dhe ca vdesin që në foshnjëri, nga sëmundjet ose nga aksidentet. Në qoftë se anarkia, e cila mbretëron që katër vjet e tëhu në Shqipëri vazhdon dhe ca kohë, ahere optimisma s’ka vent dhe trëmbem se diç do të ngjasë. Le të kemi shpresë se të vetë-qojturve “udhë-heqës” do t’u vijnë menttë dhe punët do të shtrohen. Po në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: U NGJALL NGA IDEALISTËT U RUAJT NGA RASTET U VRA NGA POLITIKANËT.

Po. S’ka dyshim se politikanët – turma e erët e njerësve që e përdorin politikën jo si një udhë po si një qëllim – kanë zënë t’i vënë kazmën Shqipërisë. Unë që s’këndoj kurrë gazetat e Shqipërisë (e kam çfaqur arësyen tjatër herë), zura këto javët e fundit t’i këndoj me regull që të kuptoj rrjedhjet politike të vendit, dhe gjer tani nuk arrita të zbuloj gjësendi. Këtu këtje, nonjë artikull i veçuar çfaq te bërësi një ndienjë të problemeve të mbëdha që janë shtruar përpara Shqipërisë; po përgjithësisht s’duket gjëkundi filli i pakëputur i mendimeve të përgjithëshme, po vetëm një bisedim i rëmbyer hollësirash, detajesh. Për shembëll, le të marrim reformën e kodit.

Pse duan t’a reformojnë dhe me ç’frymë do t’ reformohet?

S’meret vesh mirë. A duan t’a shkurtojnë kodin dhe t’i përmbledhin gjithë kanunet në një pakicë faqesh, siç bëri tani shpejt Japoni, gjë për të cilën ky vent u lëvdua nga juristët, se shumësia e kanuneve është një sëmundje dhe një pengim? Po të kishin një ide t’atillë reformatorët t’anë, ahere ja një fill udhëheqës, një mendim i përgjithëshm: arsyeja e reformës do t’ish simplifikimi. – A duan t’i lënë më tepër liri njeriut dhe të shkurtojnë gjer në kufirin më të ngushtë nërhyrjen e Shtetit në punët individuale, dhe jo si në Prusi ku për të ndruar odë duhet të kërkosh leje nga opolicia, sistem skllavërie i kopiuar gjer më një pikë dhe nga Turqia? Ja përsëri një fill udhëheqës: zgjerimi i lirive individuale dhe pakësimi i pengimeve të vëna nga Shteti. – A duan të kenë kanune më elastike, më t’ epëshme, dhe jo rigide pa nevojë, – si për shembëll në Skolland ku ka shumë forma martese: përpara një njeriu feje, ose përpara registar-it, ose përpara miqsh të thirur si dëshmonjës në shtëpi, etj., të gjitha forma legale, kurse në Francë ka vetëm një formë legale dhe do s’do je i shtrënguar t’i bindësh asaj forme? Ahere, ha bhë thatër fill udhë-heqës: të reformuarit e kodit për të kallur ane mb’anë një epërsi më të madhe në formalitetet.

Munt të vazhdojmë duke dhënë shembëlla të tjera. Këto arrijnë për të treguar se një reformë, që të jetë reformë e dobishme, duhet të ketë një fill udhëheqës, një frymë përmirësonjëse të re. Në këtë reformë të kodit, s’shohim për kundrë veç se një ndryshim. Po çdo ndryshim nuk është doemos një përparim. Dhe po të përmbledhim fjalët e reformonjësve dhe fjalët e kundërshtarëve do të gjejmë këto mendime: Reformonjësit duan t’a reformojnë kodin e sotmë se s’janë mësuar me të, kundërshtarët e mprojnë se janë stërvitur pas tij. As gjë tjatër. Që Shqipëtarët, në çdo çap të jetës politike dhe sociale, tërhiqen nga hollësirat dhe kurrë nga mendimi i përgjithëshëm; dhe nga ana tjatër, që Shqipëtarët kujtoj.