LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria e Edi Ramës

Shqipëria e Edi Ramës
Ilustrim

Është e pështirë mënyra sesi Shqipëria e padrejtë e Edi Ramës shfaqet përdhunshëm çdo ditë, çdo orë, minutë e madje çdo sekondë.

Dje prokuroria kërkoi një vit burg për tetë burra të pafajshëm nga Kukësi. Krimi që ata kanë bërë ishte sepse tentuan të hiqnin zgjedhën që Qeveria u vuri në qafë, atyre dhe gjithë shqiptarëve, traun e rrugës Durrës-Kukës.


Po dje, ish-deputeti demokrat, Agron Shehaj, publikoi bilancin e artë të koncesionit. 10 milionë euro fitime që në vitin e parë. Dhe, historia do vazhdojë për 35 vjet me radhë.

Sot, Policia rrethoi Teatrin Kombëtar. Këtë herë armiqtë e shtetit janë artistët dhe qytetarët e lirë. Ata të cilët në mënyrë heroike po mbrojnë historinë e qytetit, por mbi të gjitha pasurinë publike nga babëzia e oligarkëve.

Kjo është Shqipëria sot. Çifligu privat i një grushti bejlerësh, të cilët e vjedhin dhunshëm çdo ditë. Njësoj si Hernan Cortes dhe gjithë kolonizatorët e tjerë famëkeq vodhën popujt e Amerikës Latine shekuj më parë. Me të njëjtin model. Privatizim i dhunshëm fitimesh dhe shpërndarje e kostove mbi kurrizin e popullit.

Vetëm këtë javë, katër kontrata të çmendura grabitën 500 milionë euro nga e ardhmja e shqiptarëve. Milot-Balldren, Orikum-Dukat, një koncesion kriminal për pompat e karburanteve dhe një tjetër që po bëhet gati për kolaudimin. Të gjitha do të paguhen deri në qindarkën e fundit nga shqiptarët.

Ata që sot janë në moshë do të paguajnë deri në ditën e fundit të jetës. Kur të ikin nga kjo botë, borxhin do ia u lënë pas fëmijëve. Të rinjtë do të paguajnë derisa të dalin në pension e ndoshta edhe më tej. Ata që sapo kanë lindur dhe që nuk kuptojnë ende asgjë, as ata nuk do të shpëtojnë dot.

Fatura e haraçit vetëm rëndohet. Kjo është Shqipëria evropiane që Qeveria po ndërton çdo ditë me kartelin e saj të “bamirësve”.