Shpëtim Turku nga agjencioni turistik “Fibula” pret që nga Qershori të fillojnë fluturimet për Antalya.

Turku në “Debat Plus” me Erma Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se urdhëresa nga institucionet është e mirëseardhur pasi sipas tij klientët tashmë kanë paguar rezervimet me një avans prej minimumi 30% të shumës së paketës turistike.

“Ne kemi paraparë që fluturimi i parë të jetë me 19 maj por për shkak të pandemisë ai është anuluar. Në fillim kemi anuluar muajin maj, pastaj kemi vazhduar edhe me qershorin. Tash pritet që në fillim të qershorit të rifillojnë fluturimet e para për Antalya. Me 15 qershor hapet aeroporti dhe hapen edhe hotelet”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se shumica e klientëve të Fibulës kanë gjetur mirëkuptim për situatën dhe kanë pranuar të shtyjnë pushimet.

Përfaqësuesi i “Fibula” ka treguar edhe specifikat e udhëtimeve turistike që do të bëhen drejtë Turqisë.

“Para se të futen në aeroplan do të matet temperatura e udhëtarëve. Masat mbrojtësi si doreza apo maska duhet të mbahen edhe gjatë udhëtimit. Ajrosja në aeroplan do të jetë më e mirë se në sallën operative. Me të arritur në Antalya do të matet përsëri temperatura e udhëtarëve. Nëse nuk ka probleme vazhdohet me transferin, Transferi bëhet me gjysmën e kapacitetit. Pra nëse autobusi ka 50 vende mund të udhëtojnë me të vetëm 25 udhëtarë. Edhe në hotel do të ketë matje të temperaturës. Recepsionistët do të kenë maska dhe doreza”.

Ai thotë se hotelet do të punojnë me 50% të kapaciteteve për të mundësuar që të mos ketë grumbullim të njerëzve.

“Hotelet do të kenë staf të shtuar. Mendohet se raporti do të jetë 1:1. Këtu përfshihen recepsionistët, pastruesit e kështu me radhë”.

Turku thotë se nëse paraqiten raste të dyshimta me coronavirus hotelet do të kenë marrëveshje me spitalet në Turqi, ku turistët do të dërgohen për trajtim atje.

“Gjatë kohës derisa të kryhen testet do të ketë dhoma të veçanta në hotel”, tha ndër të tjera Shpëtim Turku nga agjencioni turistik “Fibula” ./Telegrafi/