LAJMI I FUNDIT:

Shpërndanin drogë, policia arreston dy të dyshuar në Lezhë

Shpërndanin drogë, policia arreston dy të dyshuar në Lezhë

Dy persona janë vënë në pranga në Shëngjin të Lezhës, pasi shpërndanin doza të drogave të forta.

Për këto raste u arrestuan në flagrancë 22-vjeçari me iniciale S. T. dhe 23-vjeçarja K. B., të dy banues në Tiranë.


Njëkohësisht nën hetim në gjendje të lirë janë 36-vjeçari A. P., banues në Lezhë, M. M., 22 vjeç, banues në Ishull Shëngjin dhe F. G., 25 vjeç, banues në Kosovë.

Uniformat blu kanë gjetur lëndën narkotike fizikisht tek të gjithë, si dhe në banesën e makinën e personave që u vunë në pranga.

Njoftimi policisë:

Shëngjin, Lezhë/Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Shëtitorja”.

Operacioni, rezultat i intensifikimit të kontrolleve në qytetin bregdetar të Shëngjinit, për të garantuar rend dhe siguri gjatë sezonit turistik.

Goditen raste të shpërndarjes së dozave të drogave të forta dhe të kanabisit. Arrestohen 2 shtetas dhe procedohen penalisht 3 të tjerë, të cilët merreshin me këtë veprimtari kriminale.

Sekuestrohen sasi të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis, të ndara në doza të gatshme për shitje.

Struktura për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me atë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të kësaj drejtorie, si rezultat i shtimit të shërbimeve në Shëngjin, për të intensifikuar kontrollet kundër paligjshmërive, gjatë të gjithë sezonit veror, si dhe në zbatim të porosive të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për vigjilencë të shtuar gjatë gjithë kësaj periudhe, kanë organizuar dhe finalizuar, mbështetur edhe në inteligjencën informative, operacionin policor të koduar “Shëtitorja”.

Si rezultat i këtij operacioni u konstatuan dhe u goditën raste të shpërndarjes në doza, të kokainës dhe kanabisit, në qytetin bregdetar të Shëngjinit.

Për këto raste u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit S. T., 22 vjeç dhe K. B., 23 vjeçe, të dy banues në Tiranë, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. P., 36 vjeç, banues në Lezhë, M. M., 22 vjeç, banues në Ishull Shëngjin dhe F. G., 25 vjeç, banues në Kosovë.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në automjetin e në banesën 2 të arrestuarve, si dhe fizikisht ndaj 5 shtetasve, iu gjetën dhe iu sekuestruan sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, të ndara në doza, të cilat dyshohet se posedoheshin me qëllim shitjen.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Top Channel