Shkupjani vritet në Siri, kaçanikasi komandant i muxhahidasve shqiptarë

“Kaçanikasi, Lavdrim Muhaxheri (1989), është emëruar komandant (emir) i muxhahidave shqiptarë në Siri”, thuhet në një postim, transmeton Telegrafi.
Ky profil mban anën e luftëtarëve të formacionit Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit (apo Shamit), sidomos kur dihet se në krah të tyre luftojnë vullnetarët e huaj.
LEXO PO ASHTU: Shqiptarët e kapur peng në Siri nga al-Qaeda (Video)
Një komentues, ndaj lajmit për “emirin” e muxhahidave, shkruan: “Allahu ta letsoft te forzoft ta ma munsof me korr suksese kunder kafirave te asadit edhe kunder atyre qe thirrin ne demokraci ne token e shamit” (sic.).
Siç dihet, tri grupacionet që më parë kanë luftuar kundër forcave të kryetarit të Sirisë, Bashar al-Assad, tashti janë duke luftuar njëra-me tjetrën. Kundër ISIS-it tashti thuhet se është edhe Fronti al-Nusra, që po ashtu cilësohej i afërt me al-Qaedan. Madje, sipas disa analistëve nga Siria, dyshohet se ISIS ka bërë marrëveshje sekrete me Assadin.
LEXO PO ASHTU: Kaos në Siri: Boshnjakët, fatin e njëjtë si shqiptarët! (Foto, +18)
Mediat kanë raportuar se në një përpjekje të grupeve rebele për ta pastruar lëvizjen nga elemente të al- Qaedas, i kanë vrarë në një aksion të paktën 34 luftëtarë të huaj në Siri. Burime të tjera kanë shpjeguar se disa nga të vrarët janë shqiptarë, ndër të cilët Hetem Sinan Dema e Qani Mujaku nga Kaçaniku.
LEXO PO ASHTU: Apeli i BIK-ut: Kthehuni nga Siria
Ndryshe, mediat serbe kanë raportuar se është vrarë edhe një shqiptar nga Ferizaji në Siri, Alim Osmani. Por, në një email drejtuar redaksisë sonë, nga një familjar i të ndjerit, thuhet se Osmani është nga Shkupi. Në email mohohet se ai ishte pjesëtar i ISIS-it, ndërsa thuhet se luftonte “krah për krah me forcat e Ushtrisë së Lirë Siriane”. Alimi ishte 22 vjeç, ndërsa në qershor të vitit të kaluar ka shkuar në Siri.
“Ai asnjëherë nuk ka qenë krah i grupeve të afërt me al-Qaedan”, thuhet në email. /Telegrafi/






















































