Nga: Bajram Mjeku

Reklama

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, fëmijëve shqiptarë do t’u flisja për shkrimtarin më të mirë shqiptar, më saktë për aristokratin e letërsisë për fëmijë, Rifat Kukaj.

Kam patur fatin ta njoh personalisht qyshkur isha student e më vonë dhe kësaj radhe dëshiroj të shkëpus një copëz kujtimi me Rifatin e ndjerë. Herën e parë kur jam njohur me Rifat Kukajn, ishte tetori i vitit 1984, derisa që të dy udhëtonim me tren për në Prishtinë.
Rifat Kukaj e donte shumë vendlindjen e tij në Tërstenik të Drenasit dhe vazhdimisht më fliste me fjalët më të zgjedhura për kullën e tij, të cilën e pati ngritur në fillim të viteve tetëdhjetë.

Reklama

Sapo zbritëm në stacionin e trenit në Fushë-Kosovë, donim të merrnim busin për Prishtinë, por tollovia bëhej aq e madhe në hyrje të busit nga njerëzit që shtyheshin me bërryla, sa ishte e pamundur të hynim brenda!

Reklama

– Shkojmë të pimë nga një kafe, pastaj shohim e bëjmë! – tha Rifati, derisa vazhdimisht midis buzëve mbante llullën e tij karakteristike të mbushur përplot duhan.

Mbasi pimë kafenë, prapë ia mësyem busit, por prapë e njëjta tollovi në hyrje të tij dhe kështu u detyruam të merrnim taksi që të mbërrinim në Prishtinë. Kur mbërritëm në lagjen “Dardania”, ku Rifat Kukaj edhe banonte, më tha:

Reklama

– Mos lexo shkrimtarë dhe libra koti, atëherë kur ti mendon se je më i mirë se ata!

Kam patur fatin të takohem me të gjithë shkrimtarët e plejadës së vjetër, por Rifat Kukaj dhe Anton Pashku, për aq sa ishin të thellë, po aq ishin edhe mbresëlënës.

Kështu e mbaj mend Rifat Kukajn, shkrimtarin më emblematik shqiptar të letërsisë për fëmijë dhe duke kujtuar Rifat Kukajn, të gjithë fëmijëve ua uroj Ditën Ndërkombëtare të tyre!

Reklama

Foto: Shkrimtari Rifat Kukaj me dy çunat e tij, Migjenin në krahun e djathtë dhe Shkëlzenin në të majtin, në Plazhin e Madh në Ulqin në vitin 1974.