LAJMI I FUNDIT:

Shkolla e Vizbegut edhe këtë shtator nuk hapi dyert për nxënësit

Shkolla e Vizbegut edhe këtë shtator nuk hapi dyert për nxënësit

Nxënësit e Vizbegut edhe këtë fillim vit shkollor e kanë nisur në shkollat ku tashmë kanë mësuar për shkak së në objektin e ri në lagjen e tyre akoma nuk janë përmbyllur punimet. Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha për Alsat se afati i fundit për vënien në funksion të kësaj shkolle është fillimi i muajit Tetor. Sipas Shaqirit, fillimisht mësimin do të ndjekin nxënësit nga klasa e parë e deri në atë të pestë, ndërkohë për nxënësit deri në klasë të nëntë u mbetet prindërve të vendosin.

“Nga e para deri të pestën kemi grumbulluar të dhënat, edhe në të gjashtën në qoftë se ka numër, edhe në të nëntën nëse ka numër të nxënësve. Sepse, në të gjithë atë objekt, në të gjithë atë shkollë në qoftë se hapim paralele me dy ose tre fëmijë, nuk është problemi te sigurimi i mësimdhënësve, ministria do ti sigurojë ato por çështja e cilësisë, nga një grup ti shkëpusim tre fëmijë në fazë të fundit nuk e shoh të arsyeshme por le të vendosin prindërit bashkë me sektorin e ministrisë”, tha Jeton Shaqiri, ministër I Arsimit.


Banorët e Vizbegut thanë se kësaj radhe pritja për një muaj është e arsyeshme. Por, banorët kujtojnë autoritetet se përveç objektit shkollor duhet të sigurohet ndriçimi, sinjalizimi dhe siguri rreth objektit shkollor.

“Kur kemi prit që sa kohë ose qe sa vite, mos të them me shifra, po presim edhe një muaj me shpresë se do të hapet edhe do t’ia fillojnë fëmijët këtu. Mbase shkolla po e shohim se është ndërtuar duhet edhe infrastruktura, ndriçimi, sepse dimrit bëhet terr e fëmijët nëpër këto rrugë pa ndriçim është pak problem. Kërkuam edhe sinjalizimin e rrugëve, asfaltimin që të kompletohet dhe një herë e përgjithmonë të mos kemi probleme me protesta, të ankohemi pa nevojë, kur ka mundësi të bëhet një gjë e tillë, nuk po kërkojmë kushedi se çka”, u shpreh Nebi Ibrahimi, banor i Vizbegut.

Pas shumë vitesh kërkesë, objekti i shkollës fillore në Vizbeg nisi të ndërtohet në janar të vitit 2022, me afat ndërtimi prej 18 muajsh. Sipas projektit, në këtë shkollë pritet të mësojnë 500 nxënës në 17 paralele. Për shkak të mungesës së shkollës fillore në Vizbeg, mbi 1400 nxënës të kësaj lagjeje janë të detyruar të mësojnë në shkolla të ndryshme të tre komunave të Shkupit, Butel, Çair dhe Shuto Orizarë. Për të mbërritur në shkolla, nxënësit bëjnë rrugë në këmbë mbi 3 kilometra. /Alsat.mk