Shia LaBeouf zbulon tre aktorë të njohur që e ndihmuan të largohej nga alkooli

Shia LaBeouf ka zbuluar se tre aktorë të famshëm të Hollivudit – Mel Gibson, Sean Penn dhe Josh Brolin – kanë luajtur rol kyç në rrugën e tij drejt kthjellimit dhe shpëtimit personal.
Në një intervistë për The Hollywood Reporter, aktori 38-vjeçar tha se ata e ndihmuan të kapërcejë një periudhë të errët në jetën e tij, pas akuzave të rënda për abuzim nga ish-e dashura, FKA Twigs.
Ai theksoi se e ndien veten me fat që ka ende mundësi të punojë në projekte të mëdha, si filmi i ri Henry Johnson i David Mamet, që shënon rikthimin e tij në kinema, shkruan DailyMail.
LaBeouf tregon se Gibson u bë një mbështetje shpirtërore për të, pasi e prezantoi me shërbesat fetare katolike.
"Ai më mbajti dorën kur isha në fundin e fundit", tha ai. Po ashtu, Penn dhe Brolin ishin aty për ta inkurajuar dhe udhëzuar, duke e ndihmuar të qëndrojë esëll.
"Më ndihmuan të mbijetoj", tha aktori, i cili tani synon ta përkushtojë jetën e tij rehabilitimit dhe përmirësimit personal.
“Shpresoj që gjithë pjesa tjetër e jetës sime të jetë për të rregulluar gjërat”, shtoi ai me mirënjohje. /Telegrafi/






























































