LAJMI I FUNDIT:

SHGM-ja kërkon ndihmë konkrete nga Qeveria për gazetat në vend

SHGM-ja kërkon ndihmë konkrete nga Qeveria për gazetat në vend

Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë, së bashku me përfaqësues të gazetave sot u takuan me Ministrin për shoqëri informatike dhe administratë, Damjan Mançevski.

Në takim është biseduar për mundësinë e subvencionimit të gazetave në Maqedoni, që është një temë e inicuar nga SHGM me qëllim të ndihmës për gazetat dhe përshtatjen e tyre me kushtet e reja të punës në treg, në veçanti pas paraqitjes së internetit dhe rrjeteve sociale, përcjell Telegrafi Maqedoni.


Të brengosur për mbylljen e disa gazetave, SHGM vlerëson se Qeveria ka në dispozicion një sërë mundësish me të cilat mund t’i ndihmojë në ristrukturimin e tyre në treg.

“Qeveria mund të sjellë disa lehtësime në tatime, zbritje për shërbime publike, subvencionim të letrës, shtypjen ose ndihmë në zhvillimin e rrjetit distributiv të gazetave në vend. Masa të tilla zbatohen në shumë vende të Evropës”, tha drejtori i SHGM, Dragan Sekullovski.

Përfaqësuesit e gazetave propozuan forma të ndryshme të subvencioneve dhe theksuan se pa ndihmë adekuate vihet në pyetje ekzistenca e këtij lloji të mediave.

Ministri Mançevski shprehu mirëkuptim për problemet me të cilat ballafaqohen gazetat dhe u pajtua që së bashku me SHGM-në të organizohet debat, në të cilin do të ftohen të gjithë përfaqësuesit e gazetave kombëtare dhe rajonale në Maqedoni për të diskutuar për modelet e mundshme të subvencionimit./Telegrafi/