Shfaqja “PRISHTINA. Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre”, produksion i Qendrës Multimedia, do të prezantohet më 28 maj 2026 në kuadër të Dramatiker:innenfestival, i cili zhvillohet në Graz të Austrisë nga 26 deri më 31 maj 2026.

Drama është shkruar nga Jeton Neziraj, me regji të Blerta Neziraj, ndërsa në role luajnë Adrian Morina, Shpëtim Selmani, Kushtrim Qerimi, Verona Koxha dhe Afrim Muçaj.


Dramatiker:innenfestival konsiderohet një nga platformat evropiane për dramaturgjinë bashkëkohore dhe teatrin eksperimental, duke mbledhur autorë dhe trupa nga vende të ndryshme dhe duke prezantuar shfaqje të reja, lexime dhe formate artistike inovative.

telegrafi.com

Në këtë edicion, “Prishtina…” është pjesë e programit ndërkombëtar të teatrit që trajton tema të qytetit, kujtesës dhe marrëdhënies së njeriut me hapësirën urbane. Shfaqja fokusohet në rrëfimin për arkitektin Rexhep Luci dhe transformimet e Prishtinës pas luftës, duke hapur debat mbi arkitekturën, planifikimin urban dhe trashëgiminë kulturore.

Sipas njoftimit, shfaqja lidhet edhe me realitetin e sotëm në Kosovë dhe më gjerë, ku ndërtimet pa leje dhe ngarkesa urbane po e bëjnë hapësirën gjithnjë e më të ngjeshur dhe më pak të jetueshme, duke i dhënë veprës një dimension universal mbi përgjegjësinë kolektive ndaj qyteteve ku jetojmë.


telegrafi.com

“Prishtina: Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” ka marrë vlerësime në shtypin ndërkombëtar dhe është shfaqur me sukses në Kosovë dhe jashtë saj. Mediumi Kosovo 2.0 e ka vlerësuar shfaqjen si “një dëshmi të thellë teatrore — një rrëfim, një akuzë dhe ndoshta një përpjekje për shpagim”. /Telegrafi/