Shembulli për t’u ndjekur nga Dhermiu: Çadra dhe shezlongu falas nëse konsumon diçka

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka ndarë këtë të diel, 24 maj, një shembull pozitiv nga zona e Dhërmiut.
Një biznes pranë bregdetit, ofron çadra dhe shezlonge falas në rast se konsumoni diçka prej tij, gjë për të cilën Gonxhja thekson se oferta dhe shërbimi vihen të para nga rëndësia.
“Çadra dhe shezlongu GRATIS nëse konsumon diçka, shembull pozitiv nga Dhërmiu, kur oferta e shërbimit vihet e para nga rëndësia, jo e kundërta
Patjetër që prioritet i yni është plazhi, pushimi, turizmi i përballueshëm, i aksesueshëm nga çdo xhep e shije, i drejtë për raportin çmim/cilësi, kosto/kënaqësi, i fiskalizuar, jo kurth, duke garantuar edhe industrinë e ekonominë, edhe të ardhura të vetëqendrueshme vendore por edhe alternativat për të gjithë – tipologjitë e stacioneve të plazhit private, ato publike të menaxhuara nga vetë bashkitë si dhe ato të virgjëra me detyrimet respektive të siguri/higjenës“, shkruan ai.
Në postimin e tij në rrjete sociale, Gonxhja shprehet se këtë vit është bërë rritja e sipërfaqeve të plazhit publik, si dhe po vijojnë punimet për administrimin e këtij sezoni turistik përmes një kalendari të pasur aktivitetesh.
“Sivjet kemi rritur sipërfaqet e plazhit publik, kemi investuar në sinjalistikë orientuese, në tarifa më ekonomike dhe po punojmë për administrimin e sezonit turistik në koordinim ndërinstitucional, me kalendar të pasur aktivitetesh dhe promovim kulinarie, trashëgimie, sporti
Shqipëria konfirmohet bindshëm si një destinacion model i mikpritjes, me operim gjithëvjetor të mirëstrukturuar e gjithnjë e më të ndërgjegjësuar mbi vlerën e një qasjeje afatgjatë të të bërit biznes e të një tregu të qendrueshëm, si dhe me ndjeshmëri të lartë mjedisore pa harruar se e tërë vija bregdetare, liqenore e lumore janë pasuri kombëtare“, shkruan ai.
Ai shkruan gjithashtu se objektivat më të rëndësishme të këtij sezoni mbeten natyra, qetësia, relaksi dhe pastërtia.
“Natyra, qetësia, relaksi, pastërtia janë objektivat tona më të rëndësishëm. Dimensioni kulturor e social pasurojnë eksperiencën dhe reputacionin turistik“, përfundon ai.







































