LAJMI I FUNDIT:

Shefi i OBSH-së, Ghebreyesus: Bota mund ta vërë nën kontroll pandeminë brenda disa muajve

Shefi i OBSH-së, Ghebreyesus: Bota mund ta vërë nën kontroll pandeminë brenda disa muajve

Bota mund ta vërë nën kontroll pandeminë globale COVID-19 në muajt e ardhshëm, por me kusht që ajo të shpërndajë burimet e nevojshme në mënyrë të drejtë, tha kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Ne kemi mjetet për ta sjellë këtë pandemi nën kontroll brenda disa muajsh, nëse i zbatojmë ato në mënyrë të qëndrueshme dhe të barabartë”, tha kreu i OBSH-së, Ghebreyesus, raporton reuters.


Sidoqoftë, ai gjithashtu shprehu shqetësim për “shkallën alarmante” në të cilën COVID-19 po përhapet tek mosha 25-59 në mbarë botën, ndoshta për shkak të varianteve shumë më ngjitëse.

“U deshën nëntë muaj për të arritur një milion vdekje; 4 muaj për të arritur dy milionë dhe 3 muaj për të arritur tre milionë”, shtoi ai.

Ndërkohë, aktivistja globale kundër ndryshimit të klimës, Greta Thunberg, duke u bashkuar me konferencën si një mysafire virtuale nga Suedia, tha se “është joetike që vendet e pasura po i jepnin përparësi qytetarëve të tyre për vaksinim përpara grupeve të cenueshme në vendet në zhvillim”.

Thunberg gjithashtu krijoi një lidhje të drejtpërdrejtë midis pandemisë dhe shkatërrimit të mjedisit që ajo tha se e bëri shumë më të lehtë për viruset e rrezikshëm të kërcejnë nga kafshët tek njerëzit.

“Shkenca tregon se ne do të përjetojmë pandemi më të shpeshta, më shkatërruese nëse nuk ndryshojmë në mënyrë drastike mënyrat tona dhe mënyrat se si e trajtojmë natyrën. Ne po krijojmë kushte ideale që sëmundjet të kalojnë nga një kafshë në tjetrën dhe tek ne”, tha ajo.

Ndryshe, 141 milionë njerëz në mbarë globin janë infektuar me virus gjersa kanë vdekur 3.01 milionë njerëz. /Telegrafi/