LAJMI I FUNDIT:

Shefi i kabinetit të Kurtit reagon pas lirimit të Radoiçiqit: Shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar

Shefi i kabinetit të Kurtit reagon pas lirimit të Radoiçiqit: Shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar

Shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi, ka reaguar pasi terroristi Milan Radoiçiqit u lirua të mërkurën nga autoritetet serbe.

Dalipi ka thënë se Serbia ka mbështetur terrorizmin e kryer në Kosovë dhe se arrestimi e më pas lirimi i Radoiçiqit është bërë vetëm për shfaqje mediale.


Radoiçiq lirohet nga paraburgimi, gjykata serbe ia ndalon shkuarjen në Kosovë
Lexo po ashtu Radoiçiq lirohet nga paraburgimi, gjykata serbe ia ndalon shkuarjen në Kosovë

“Aleksandar Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë mbështeti terrorizmin në Kosovën fqinje. Arrestimi dhe lirimi i një terroristi kryesor është vetëm për të marrë vëmendjen e mediave. Manipulimi i tij i stilit Millosheviq/Putin nuk do të mashtrojë askënd. Mbajtja e përgjegjësisë është thelbësore për këtë shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar”, ka shkruar ai në platformën “X”.

Ndryshe, Gjykata në Beograd e ka liruar Milan Radoiçiqin nga paraburgimi duke ia ndaluar shkuarjen në Kosovë.

Siç raportojnë mediat në Serbi, gjyqtari ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të rrezikut të arratisjes.

“Gjyqtari për procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd, pasi ka dëgjuar të pandehurin M.R. për arsyet e caktimit të paraburgimit, refuzoi propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të rrezikut të arratisjes, njoftuan nga Gjykata e Lartë në Beograd”, raportohet në mediat e Serbisë.

Tutje bëhet e ditur se Radoiçiqit i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit, përkatësisht pasaporta e Republikës së Serbisë.

Sipas mediave serbe Radoiçiqi është paralajmëruar se mund t’i shqiptohet paraburgimi nëse i shkel të drejtat dhe detyrimet. /Telegrafi/