LAJMI I FUNDIT:

SHBA-të gjobisin Deutsche Bankën me 14 miliardë dollarë

SHBA-të gjobisin Deutsche Bankën me 14 miliardë dollarë

Departamenti amerikan i drejtësisë kërkon një dëmshpërblim prej 14 miliardë dollarësh nga Deutsche Bank në mënyrë që të mbyllet çështja e kredive hipotekore. Lajmi bëhet i ditur nga huadhënësi gjerman.

“Deutsche Bank nuk ka ndërmend të pranojë aspak shifra të tilla. Negociatat janë vetëm në fillim. Banka pret që rezultati i këtyre negociatave të prodhojë një shumë të ngjashme me atë të arritur për bankat e tjera”, citon Deutsche Bank në njoftim.


Në vitin 2014 e njëjta kërkesë i`u bë edhe Citi group, për një gjobë prej 12 miliardë dollarësh. Në fund banka pagoi vetëm 7 miliardë, shkruan Telegrafi.

Goldman Sachs nga ana tjetër pagoi një shumë prej rreth 5 miliardë dollarësh për një çështje të ngjashme. Pas publikimit të lajmit, aksionet e Deutsche Bank të listuara në tregjet amerikane ranë me rreth 8%.

Në vitin 2013, gjigandi gjerman pranoi të paguante 1.9 miliardë dollarë për të mbyllur çështjen që e akuzonte për mashtrim ndaj qeverisë amerikane. Banka si JPMorgan apo Bank of America kanë paguar respektivisht 13 dhe 16.7 miliardë dollarë për çështje të ngjashme Ssipas Wall Street Journal.

Në të gjitha rastet bankat akuzohen për mashtrim ose mbivlerësim të aseteve gjatë periudhës së krizës financiare globale të viteve 2008-2009. /Telegrafi/