Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar sot një tjetër anije cisterne nafte me flamur iranian, në një operacion të udhëhequr nga Komanda Qendrore amerikane (CENTCOM).

Sipas njoftimit zyrtar, marinsat amerikanë hipën në anijen M/T Celestial Sea pasi dyshohej se ajo kishte tentuar të shkelte bllokadën e vendosur nga Uashingtoni ndaj Iranit.


SHBA ka disa javë që po zbaton një bllokadë detare ndaj Iranit, me qëllim, siç thuhet, kufizimin e lëvizjes së mallrave hyrëse dhe dalëse nga vendi dhe goditjen e industrisë së naftës iraniane.

Në një deklaratë në rrjetet sociale, CENTCOM bëri të ditur se forcat amerikane pas kontrollit e liruan anijen dhe i urdhëruan ekuipazhit të ndryshonte kursin.

Po ashtu, u theksua se operacionet për zbatimin e bllokadës po vazhdojnë dhe deri tani janë devijuar 91 anije tregtare për të siguruar respektimin e saj.

Ngjarja vjen në një kohë tensionesh të rritura në rajon, ku veprimet detare dhe kufizimet ekonomike ndaj Iranit po shtohen. /Telegrafi/