LAJMI I FUNDIT:

Shazam përfundimisht në pronësi të Apple

Shazam përfundimisht në pronësi të Apple

Apple njoftoi se ka përfunduar blerjen e Shazam, një aplikacion muzikor gjerësisht i përdorur dhe më i vlerësuari për sa i përket muzikës, ku përdoruesit mund të zbulojnë dhe të identifikojnë këngë me vetëm disa klikime

Shazam është një aplikacion për zbulimin e muzikës dhe aktualisht ka më shumë se 100 milionë përdorues aktivë mujorë dhe është shkarkuar mbi 1 miliard herë në mbarë botën.


“Apple dhe Shazam kanë një histori të gjatë së bashku. Shazam ishte një nga aplikacionet e para i disponueshëm kur lansuam AppStore dhe është bërë një aplikacion i preferuar për fansat e muzikës në mbarë botën”, tha Oliver Schusser, zëvendëspresident në Apple Music, përcjell Telegrafi.

Kur Apple përmendi planet e tij për të blerë Shazam për 400 milionë dollarë në dhjetor 2017, rregullatorët e Bashkimit Evropian filluan një hetim mbi këtë blerje.

“Në këtë fazë, Komisioni është i shqetësuar se pas marrjes së Shazam, Apple do të merrte qasje në të dhëna komerciale të ndjeshme për klientët e konkurrentëve të saj. Qasja në këto të dhëna mund t’i lejojë Apple të drejtojë drejtpërsëdrejti klientët e konkurrentëve të saj dhe t’i inkurajojë ata të kalojnë te Apple Music. Si rezultat, shërbimet konkurruese të transmetimit të muzikës mund të vihen në një disavantazh konkurrues”, thuhet në njoftimin e Bashkimit Evropian.

Mirëpo, Bashkimi Europian së fundmi e miratoi këtë blerje.

Apple ka plane për të integruar aplikacionin Shazam me muzikën Apple. Tani për tani, Apple synon ta bëjë Shazam pa reklama. /Telegrafi/