Shala rrëfen historinë e humanizmit para luftës: Si donatori Svirca dhe mjeku Demolli ngritën maternitetin ku u lindën mbi 13 mijë fëmijë

Drejtori i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë”, Zef Shala, ka rrëfyer historinë e krijimit të një prej shërbimeve më të rëndësishme shëndetësore për shqiptarët e Kosovës gjatë viteve ’90 – ambulancës dhe maternitetit të ngritur në shtëpinë e donatorit Shaban Svirca.
Në një intervistë në “Përballje Podcast” në Telegrafi, Shala e cilësoi Svircën si një personalitet dhe donator të veçantë në fushën e shëndetësisë, i cili vuri shtëpinë dhe mjetet e tij në dispozicion të qytetarëve.
“Në shtëpinë e tij u formua ambulanca e parë e ‘Nënës Terezë’, ku doktor Gani Demolli kishte ekipin e tij dhe prej aty koordinonte shërbimin shëndetësor në të gjithë Kosovën”, tha Shala shkruan Telegrafi.
Sipas tij, gjatë një takimi me Shaban Svircën, doktor Gani Demollin dhe aktivistë të tjerë, Anton Çetta kishte kërkuar që pranë ambulancës të ndërtoheshin edhe dy dhoma të veçanta për maternitet.
“Anton Çetta iu drejtua Shaban Svircës dhe i tha: ‘Po e shoh se ke vullnet për të ndihmuar. Do të të lutesha që, brenda një kohe të shkurtër, të na i ndërtoje edhe dy dhoma të veçanta për maternitet’”, rrëfeu Shala.
Ai tregoi se Svirca e pranoi kërkesën dhe, brenda një viti, e përfundoi objektin.
“Kur objekti ishte gati, ai i thirri dhe u tha: ‘Objekti është i gatshëm’”, deklaroi Shala.
Pajisjet u siguruan nga komuniteti shqiptaro-amerikan
Pajisjet e nevojshme për funksionimin e maternitetit, sipas Shalës, u siguruan në bashkëpunim ndërmjet Shoqatës “Nëna Terezë”, klubit Shqiptaro-Amerikan dhe aktivistëve të diasporës.
Ai theksoi se maternitetit iu bashkuan gjinekologë nga vende të ndryshme të Kosovës, të cilët punuan pa pagesë, në rrethana jashtëzakonisht të vështira.
“Gjinekologët më të njohur, të cilët ishin shpërndarë nëpër vende të ndryshme të Kosovës, erdhën dhe punuan falas”, tha Shala.
Sipas tij, nga viti 1995 deri më 1997, në këtë maternitet lindën 13,600 fëmijë, pa u regjistruar asnjë humbje jete gjatë lindjeve.
“Në periudhën 1995–1997 lindën 13,600 fëmijë. Asnjë fëmijë nuk vdiq dhe asnjë nënë nuk vdiq”, deklaroi ai.
- YouTube www.youtube.com
Shala tha se materniteti funksiononte në një hapësirë prej rreth 150 metrash katrorë, me vetëm shtatë shtretër, ndërsa mesatarja arrinte deri në 37 lindje në ditë.
Kjo histori, sipas tij, dëshmon për organizimin, sakrificën dhe solidaritetin e mjekëve, vullnetarëve dhe donatorëve, të cilët krijuan shërbime jetike për qytetarët shqiptarë në kohën kur ata ishin përjashtuar nga institucionet publike shëndetësore. /Telegrafi/.






































