LAJMI I FUNDIT:

Shala: Qeveria fajtore kryesore për dëmin që po e pësojnë nxënësit, presim reflektim nga Kurti

Shala: Qeveria fajtore kryesore për dëmin që po e pësojnë nxënësit, presim reflektim nga Kurti

Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Vjollca Shala, e ftuar në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, deklaroi se një vendim i mundshëm i mësimdhënësve për ta ndërprerë grevën do ta gëzonte sindikatën.

Shala tha se greva nuk mund të vazhdojë deri në pafundësi, ndërsa shtoi se presin që Qeveria e Kosovës të reflektojë në realizimin e kërkesave të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).


“Shpresa vdes e fundit. Herdo kurdo duhet të arrihet një zgjidhje. S’mundet greva të vazhdojë deri në pafundësi. Dëshira më e madhe e mësimdhënësve është që mësimi të fillojë qysh nesër. Të gjithë mësimdhënësit janë gëzuar për takimin e djeshëm me kryeministrin. Menduam se do të arrihet një marrëveshje”.

“Nëse mësimdhënësit vendosin ta ndërpresin grevën, SBASHK-u është i lumtur. Presim që kryeministri ta ndryshojë qëndrimin dhe të arrihet një marrëveshje me grevistët. Përndryshe, greva do të vazhdojë”, u shpreh ajo.

Mes tjerash, nënkryetarja e SBASHK-ut bëri të ditur se numri i shkollave të cilat janë në grevë aktualisht është 1 mijë e 187. E për dëmin që po u shkaktohet nxënësve Shala fajësoi Qeverinë.

“Pra, 320 mijë nxënës nuk janë në bankat shkollore. Ne e kuptojmë dëmin që po u bëhet. Por, Qeveria është fajtore për këtë. Urojmë që Qeveria të reflektojë në realizimin e kërkesave të BSPK-së dhe greva të marrë fund”.

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, gjatë intervistës në emisionin “Përballje”

Duke folur për takimin e djeshëm mes Këshillit Grevist dhe Qeverisë Kosovës, Shala tha se kryeministri Albin Kurti nuk ofroi asgjë të re.

“E kemi mirëpritur ftesën e kryeministrit për takimin e djeshëm, sepse kemi shpresuar që do të arrijmë një zgjidhje me qëllim të fillimit të procesit mësimor. Një gjë e tillë nuk ndodhi. Këshilli Grevist paraqiti kërkesat e veta, por kryeministri nuk ofroi asnjë zgjidhje. Ato që Kurti i përmendi në takim ne i kemi pasur të ditura. Këshilli Grevist në takim ka thënë se do të konsultohemi me anëtarësinë në rast se do të kishte diçka të re, pra marrëveshje të re”.

Në fund, ajo inkurajoi prindërit që të bëjnë presion te Qeveria me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje.

Ndryshe, takimi i djeshëm mes krerëve të Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit Grevist përfundoi pa marrëveshje për ndërprerjen e grevës, e cila ka nisur tash e tri javë. Përveç se nuk arritën të gjejnë zgjidhje, të dyja palët pas takimit hodhën akuza ndaj njëra-tjetrës.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, akuzoi ekzekutivin për mungesë vullneti për të gjetur zgjidhje, ndërsa kryeministri Kurti hodhi dyshime se greva në arsim po përdoret për qëllime të sindikatës dhe “jo për arsimin e as arsimtarët”.

“Ata me mua janë sjell thua se buxheti është i imi e janë paratë e mia. Këto janë para të qytetarëve. Më thoshin ‘na ndihmo si vëlla’. Si vëlla të ndihmoj privatisht, por unë jam kryeministër dhe ka kaluar koha kur kryeministri të bëhet vëlla, kur kryeministri të ndihmon si vëlla”, u shpreh Kurti të martën, në konferencë për media.

Sipas tij, të kërkosh përmbushje të plotë të kërkesave të sindikatës siç po bën SBASHK-u, është e palogjikshme dhe e rrezikshme.

“Kanë kërkuar 100 euro, ne kemi thënë 50 e ata ose krejt ose hiç. Nuk është e drejtë kjo mënyrë e shantazhit. Shteti nuk do të duhej të shantazhohej nga dikush që është më i zhurmshmi. Dhe jo për kushtet e punës, por për para”, ka deklaruar Jasharaj./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

Lajme
Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Lajme
Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd:

Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd: "Shfaqja e muskujve" nga Vuçiqi

Lajme
Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Siguri
Gjuajtje me armë zjarri tek një pompë derivatesh në Prishtinë

Gjuajtje me armë zjarri tek një pompë derivatesh në Prishtinë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori