Ushtria izraelite ka konfirmuar sot sulmet mbi caqet e Hamasit në Rripin e Gazës, sulmi i parë që kur muajin e kaluar u arrit armëpushimi me palestinezët.

Siç raporton AP, fluturakja izraelite ka kryer një sërë sulmesh ajrore mbi caqet e militantëve në Rripin e Gazës, si përgjigje ndaj “balonave të ndezura” ndryshe të njohura si “balonat bomba”, të lansuara nga territori palestinez, ka njoftuar sot ushtria izraelite, transmeton Telegrafi.

Radio stacioni i lëvizjes palestineze Hamas, gjithashtu ka njoftuar që aeroplanët luftarakë të Izraelit kanë sulmuar kampin palestinez për trajnime në Gazë, shkruan Reuters.

Deri më tani asnjëra palë nuk ka konfirmuar nëse mund të ketë viktima eventuale nga këto sulme. /Telegrafi/