LAJMI I FUNDIT:

Serbët gjermanëve në Bërnjak: Arbeit! (Video)

Serbët gjermanëve në Bërnjak: Arbeit! (Video)

Të enjten në mëngjes, ushtarët e KFOR-it nisën aksionin për heqje e barrikadës të vendosur në magjistralen Ribariq – Zubin-Potok, në rrugën që shpie drejtë pikëkalimit kufitar në Bërnjak.

Gjatë aksionit, me sharra motorike preheshin drunjtë e vendosur në rrugë, ndërsa me lopata hiqej dheu.

Se nga KFOR-i barrikada hiqej me mjete të dorës, këtë e kishte konfirmuar edhe Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës dhe kjo mund të shihet edhe nga video që do ta postojmë më poshtë.

“Aksioni me lopata dore, ishte qesharak. Madje, dheun që e ka a hequr KFOR-i, i njëjti është përdorur nga serbët lokalë për të ndërtuar barrikadën e re”, kishte thënë lideri kontrovers i serbëve të veriut, Milan Ivanovic, duke përqeshur aksionin e KFOR-it.

Përqeshje të tillë bëjnë edhe serbët lokalë, teksa pjesëtarët gjermanë të KFOR-it me lopata e hiqnin dheun nga barrikada e mëparshme.

Gjermanët dhe francezët që rrinin në gjendje gatishmërie shikojnë. Në fytyrat e tyre secili mund të ndjejë dhembje, sepse larg vendlindjes bëjnë punë sizifi, në kohën që serbët me ekskavatorë i izolonin dhe hidhnin para syve të tyre sasi të mëdha dheu.

Provokimet e serbëve nuk kanë të ndalur. Ata gjuajnë fjalë në drejtim të ushtarëve gjermanë, i thërrasin me emrin përçmues “shvaba” – që është territor historik gjerman, por për serbët sinonim për barbarë, me të cilin në të kaluarën fyenin ushtarët gjermanë!

“Shvabat po rrëmihin, e francezët po i ruajnë, arbajt”, dëgjohet një zë përqeshës në incizim, teksa fjala gjermane “arbajt” (arbeit), që në shqip do të thotë “puno”, përsëritet disa herë.

Video përcillet edhe me titrat me përmbajtje nacionaliste serbe. /Telegrafi/