LAJMI I FUNDIT:

Semiologjia e emrit

Semiologjia e emrit

Nga: Qemal Murati

Në radhë të parë të shënjuesve të identitetit […] vjen emri


Jean-François Gossiaux

Kur lindte një fëmijë në Malësinë e Veriut, pyesnin: A Pal a Palushkë? (a ka lindur mashkull a femër); A furkë a pushkë? (A vajzë, a djalë, trim)

(Plavë e Guci)

Të rrënoftë sa hartini!  (Hartini – pishë halore qindravjeçare)

(Kur lind djalë i vetëm – Plavë e Guci)

“Njeriu jeton për emrin dhe vetëm me emrin është njeri”

(bullgare)

Një fëmijë i dashur ka shumë emra

(Skandinavi)

Nomen est omen (emri është sendi) – thoshin latinët. Duke e çmuar emrin si diçka më themelore për bartësin e tij, njerëzit i kanë kushtuar mjaft kujdes emërtimit të fëmijëve të tyre të porsalindur, duke e lidhur atë dhe me dukuri substitucioni (besimi)  dhe dëshirës për të jetuar më gjatë. Fëmijët meshkuj i kanë emërtuar: Ujk  – që të jetë i mbrojtur nga demonët, Trim – që të jetë trim, Fatmir – që të ketë fat të mirë. Apo tek emrat femërorë, fëmijës që vinte pas shumë vajzave, prindërit i vinin dhe një emër mashkulli me shpresë që të ndërpritej lindja e tyre e të lindte djalë. Në krahinën e Plavës e të Gucisë, kur lindte një fëmijë, uronin: A t’ka lê djalë, ni trim me çit pushë! T’u shtoftë shpia me mashkuj e trima! Tek âsht shtue ni trim!

Antroponimet eufemistike, emrat që u viheshin vajzave në pritje të djalit

Nga kjo sferë, në krahina të ndryshme dhe te bashkësi të ndryshme etnike të botës shqiptare, mund të evidentohet një produktivitet mjaft i pasur i emrave të tillë, me interes edhe për etnografinë tonë:

Pashíje (në thelb “fëmijë i pashije”)  – në rajonin e Pollogut e të Shkupit, siç ma ka komunikuar këtë historiani Besnik Emini, nga Çellopeku i Tetovës.

Durim – vajzës i vinin dikur edhe një emër mashkulli si, p. sh., Durim, që të kishin durim se do të lindnin djalë; apo vajzës i janë drejtuar me shprehje mashkullore: ku je bre djalë, me qëllim që të lindnin djalë. Emra të tillë njerëzish që të sosen fëmijët e gjinisë femërore përdoren edhe në krahina të tjera si, p. sh., Mokër: Sose, Mbaresa, Qëndrime (Bardhyl Berberi, Në Mokër ka fshatra që vdesin çdo ditë, “Fjala e lirë”).

Shpesh në të kaluarën, po edhe sot, nëpër krahina të ndryshme, fëmijëve u viheshin emra të përçudshëm apo eufemistikë, nëpër­mjet të cilëve mendohej se largohej e keqja dhe fëmijët do të kenë jetë të gjatë, fat etj. Kjo dukuri nuk mungon as në kra­hinën e Martaneshit. Nga anketimet e bëra rezultojnë emrat: Fatmir, Jeton, Jetmir, Jetmira, Fatbardha, Bukurie, Fatjon etj.

Në rastet kur djemtë ishin të vetëm, apo siç quhen në krahina të ndryshme: djem dëshirit, djem hazretit, prindërit u vinin emra të tillë: Gëzim, Shyqyr, Lumturi etj. Nga dëshira për të mos pasur vajza ose për t’u pakësuar vargu i tyre në Martanesh, ashtu si shumëkund, ka edhe emra, si:

Hike “që të ikë”;

Hume “që të humbin vajzat”;

Marime “që të mbarojnë vajzat”;

Marie “që të mbarohen vajzat”;

Mjaftënie, Flora “që të flërojnë gocat, që të ikin” etj. (Cuka 2014: 117).

Kur gruaja ka lindur disa vajza me radhë, atëherë vajza e lindur pagëzohet: Fundime, Largesa, Fundesa, Largeta, Mbaresa, Humahije (të humbin vajzat), Shkurtesa, Shkurte, Largime, me qëllim që të largohen vajzat e t’ua lënë vendin djemve që të lindin (Asani 2012: 75).

Po për këtë qëllim në trevën e Kërçovës kemi vënë re të vihet edhe emri Farije (që të farohen vajzat), paçka se Fahrije, turq. Fahrye është me burim nga arab. Fahriyyä, që do të thotë “krenare”, pra ky emër në thelb nuk është shqip.

Në arealin e Kosovës ndeshim po kështu shumë emra të tillë: Cubë  (Rugovë), me dëshirën që të cubohet “shkurtohet” lindja e femrave, Mjaftime  “të jetë mjaft”, Sose  “të sosen”. Te besimtarët myslimanë si shprehje e kësaj dukurie vënë dhe emrin Elhame (Kamenicë), në kuptimin e falënderimit të Zotit se “u kryen çikat, s’ka më”; Zbone (me kuptimin: s’bën, të mos bëjë më fëmijë femra, në rajonin e Dushkajës së Dukagjinit); Fatmush (me kuptimin: prindërit i luten fatit që fëmija i ardhshëm të lindë djalë, Lugu i Baranit). Në rrethinat e Prishtinës nëna i ka vënë fëmijës edhe emrin e vet për ta ndalur lindjen e femrave, p. sh., nëna Ramize edhe vajzën e vet e ka emëruar Ramize. Në Kalivaç të Tepelenës: Me interes për t’u interpretuar janë disa emra femrash me të cilët familjarët, të mërzitur nga prania e shumë femrave në familje, urojnë që lindja e re të jetë e fundit e këtij lloji.  Të tillë simbolikë kanë emrat: Sose, Mjaftoni, Mbete etj. (Nelaj).

Emrat që u viheshin vajzave fëmijë të padëshiruar nga prindër në pritje të djalit, si Mbarime, Mjafte, Mjaftime, Ndalime, Pikllime, Pafate, Pseerdhe, Shkurte, Shkurtime etj., që hasen në arealet e shqipes, duhet të gjurmohen edhe në areale të tjera të botës shqiptare, si shënjues të një jete të kryehershme primitive.

Edhe në Serbinë Jugore, nëse një grua do të lindte vajza, që të shkurtohej kjo dhe të lindte fëmijë mashkull, fëmijës së fundit të lindur femër do t’i vihej emri Dosta, që d.m.th. “dosta se rodilo ženske dece, vreme je da se rodi muško dete” (Vukanović 1940: 57).

Kur lindte një fëmijë në Malësinë e Veriut pyesnin: A Pal a Palushkë? (a ka lindur mashkull a femër); A furkë a pushkë? (a vajzë a djalë, trim) (Plavë e Guci). Edhe në zonën e Rahovecit të Kosovës dikur lindja e fëmijës ka pasur dallime në gëzim kur lindte djalë dhe kur lindte vajzë. Kur lindte djalë zbrazej pushkë, ndërsa lindja e vajzës përcillej me heshtje. Me rastin e lindjes së fëmijës janë një mori shprehjesh. Kur jepet lajmi për lindjen e djalit:

Na u ka shtu ni pushkë, na u ka shtu ni krah pune, na u ka shtu ni burr. Ndërsa për lindjen e vajzës:

Na u ka shtu ni mik, m’ka le mik, me keqardhje që ka lind vajzë, por nuk mungon urimi duke u parë dobia praktike e saj si shër­byese për vëllezërit që do të vijnë pas saj:

Ka le magari і djemve, ishalla t’i përkund djemt, ishalla e përkund vllaun (Dulaj 2016).

Në rrethinat e Përmetit, kur ndonjë çift kishte probleme, p.sh., që nuk i rronin fëmijët, atëherë fëmijës së porsalindur i viheshin dy emra, njëri, kryesori, me të cilin pagëzohej e regjistrohej në gjendjen civile, tjetri me të cilin thirrej në jetën e përditshme. Kishte edhe raste që, për t’u rrojtur fëmijët, u vinin vath në vesh, paçka se mund të ishte djalë (Saliu 2011: 591).

Te serbët, në Timok dhe Baçkë, nëse një gruaje i lindnin të gjithë fëmijët vajza, kurse kishte dëshirë të kishte edhe djalë, fëmijës së fundit ajo do t’i vinte emrin e vet personal, me shpresë se pas kësaj do të lindte djalë. E nëse do të lindte fëmijë meshkuj, kurse do të kishte dëshirë t’i lindte edhe vajzë, fëmijë së fundit mashkull nëna do t’i vinte emrin e burrit të saj, me shpresë se do të lindte vajzë (Vukanović 1940: 57).

Emri mbrojtës

Kur nuk jetonte fëmija, ia vinin emrin Plak ose Ukë, si emër mbrojtës nga të këqijat. Kështu, fëmija i lindur e kishte emrin Zeqir, por i thoshin Ukë ose Plak (deri në moshën njëvjeçare nuk e tregonin emrin e vërtetë për ta mbrojtur nga të këqijat (në Prizren e Suharekë, komunikim i Sadri Fetiut).

Ukë, Ujkan – emër vetjak i shpeshtë në Rugovë të Kosovës e në zonat e Shqipërisë Veriore. Banorë të bjeshkëve ia huazonin ujkut në dialektin e tyre emrin e foshnjës së sapolindur, me urimin që ai djalë të bëhet i fortë, i fortë edhe si egërsira, për ta siguruar jetën apo të paktën mbijetesën.

Edhe në Rekën e Epërme të Gostivarit dhe në malësinë e Sharrit të Tetovës, kur nënës nuk i jetonin fëmijët, e sidomos djemtë, ajo ishte e detyruar që djalin ose vajzën ta emërtonte me një emër të kafshëve të egra, zakonisht mashkullin me emrin Ujk, Ujkan, Luan, ndërsa vajzën Drene, Drenushe etj. Kështu që derisa të bëhej djali ose vajza për martesë, thirren me këta emra. Është dita e fejesës ajo kur ata e marrin emrin e vërtetë, emër që e kanë mbajtur në fshehtësi dhe e kanë ditur vetëm prindërit, si për shembull, Ujkanin më nuk e thërrasin Uj­kan, por Endrit e të tjerë, me besim se në të ardhmen fëmijët e tyre janë mbrojtur apo do të mbroheshin nga demonët.

Keçan (në Rugovë) – prindërit të cilëve nuk u kanë jetuar fëmijët, ia kanë vënë këtë emër fëmijës së tyre që kur të vijë hija (vdekja) e ta dëgjojë këtë emër, të largohet. Edhe si emër i gjinisë femërore Keçe (Keqe).

Ymri emër vetjak me të cilin pagëzohej foshnja e porsalindur në familjen që nuk i jetonin fëmijët. Për fëmijët meshkuj vihej dhe Ymret, kurse për femra Ymërlije, Ymërjetë e Ymërshah, turq. ymër “jetë” (Opojë – Kosovë).

“Emri është kapistall” – thonë në Korçë. Personi emrin e mbart tërë jetën, prandaj prindërit janë kujdesur që fëmija i tyre të kishte emër sa më të mirë e të brumit gjuhësor të shqipes. Nga fondi i Plavës e i Gucisë dalin emra të tillë femërorë: Bjeshkë, Bora, Boronicë, Bute, Diella, Drane, Drethe (Dredhëz), Dushë, File, Gojfile (Trëndafile), Grishë, Hartinë (Pishë), Kamile, Laze, Maje (Bjeshkë), Pulë, Trashe, Xhuxhë, Zake. Në rrethinat e Gjakovës, te komuniteti katolik, kur një fëmijë lind të dielën ia vënë emrin Dilë.

Emra mashkullorë: Cub, Çung (cung), Bub, Hartin, Sherbet etj.

Në Skandinavi përdoret një fjalë e urtë: “Një fëmijë i dashur ka shumë emra” (Gino Luka).

Sulltan Nevruzi – kremte fetare bektashiane. Në këtë ditë kremtohet ditëlindja e Imam Aliut, që ndryshe njihet nga besim­tarët bektashinj si dita e rilindjes së madhe. Në qoftë se gjatë kremtes së Sulltan Nevruzit do të lindë fëmijë vajzë, do të pagë­zohet Arife, Sulltane apo Nevruze, nëse lind djalë pagëzohet Arif, Sulltan ose Nevruz. Besohet se ata fëmijë që lindin gjatë kësaj feste janë me kësmet (fat). Nuset shkojnë te prindërit e tyre në gosti, për drekë ose për darkë. Përderisa në Dibër ditën e Sulltan Nevruzit e kremtojnë besimtarët e sektit bektashian, në fshatrat toske të trevës së Strugës Sulltan Nevruzi krem­tohet në mënyrë masive (Asani 2012: 31).

Dita e emrit

Popujt e krishterë të Ballkanit e kanë për gjë të madhe festimin e ditës së emrit të personit që mbart emrin e ndonjë shenjti. Është një nga ditët që për të krishterët ka më shumë rëndësi sesa vetë ditëlindja dhe kur ndonjë nga të afërmit nuk bën urimin përkatës, krijohet një si farë boshllëku. Edhe në traditën popu­llore bullgare, maqedonase e serbe, po ashtu i kushtohet rëndësi e veçantë ditës së emrit Imen den, në përkthim të fjalëpërfjal­shëm Svetiot den (Dita e shenjtit), ditës së emrave kristianë, sipas ditës së lindjes ose të vdekjes së shenjtorëve përkatës, të cilët sakrifikuan për nder të kristianizmit me jetën e tyre në tufat e druve.

Për ditën e emrit urohet:

Urime dita e emrit të gjithë atyre që mbajnë emrin e Shën Antonit (Ndoj).Urime të përzemërta edhe për Tonin Aline, i cili sot ka ditën e emrit”.

Emrat vetjakë te mbartësit e zonës urbane dhe asaj rurale

Përdorimi i emrit ka qenë dhe shenjë dalluese për të shënjuar prejardhjen e bartësit të tij në raportin fshat-qytet. Në arealin e qytetit të Manastirit kemi hetuar se personat e shtresës urbane kanë mbartur emra të plotë të tipit Tomislav, Dimitrie, kurse ata të zonës rurale emra të shkurtuar hipokoristikë Tome, Tomçe, Dimo, Dimçe (komunikim i Ljupço Naumovskit nga Manastiri).

Edhe në anë të Kosovës, personin me emrin Sylë, për respekt disa e thërrasin me emrin e plotë Sylejman. Ku je Sylejman? Hajde Sylejman! (komunikim i Sylë Kasumajt nga Jabllanica e Dush­kajës, komuna e Gjakovës).

Çfarë fshihet pas një emri?

Pas ruajtjes ose ndërrimit të emrit, ndër të tjera, fshihet edhe mbijetesa e autenticitetit parak ose asimilimit të një etnie në tjetrën. Në procesin e konvertimit të grupeve të popullsive të Ballkanit në islam, është fakt se, krahas pranimit të fesë së re, duhej patjetër të merrej edhe një emër i ri personal (arab, turk ose pers) si tipar dallues i përkatësisë së religjionit të ri.

Në një dokument turk të vitit 1585 për Bosnjë e Hercegovinën, ndër të tjera, shënohet edhe kjo:

“Secili e përkthen emrin e vet në turqisht. Ai që e kishte emrin “Živko”, do të quhej “Jahja”, kush quhej “Vuk”, merrte emrin “Kurt”, kurse ai që kishte emrin “Gvozden”, merrte emrin “Timur”. Pasi të quheshin me emra myslimanë, nuk do të pagu­anin xhizje (të dhjetat që i paguante popullsia jomyslimane)” (Smailović 1980: 322).

Semiologjia tek emrat e kafshëve

Semiologjia e emërtimit përfshin jo vetëm emrat e njerëzve, por dhe emrat e kafshëve, sepse kafshët kanë qenë burimi krye­sor i ekzistencës. Për t’u begatuar blegtoria e për t’u shtuar numri i kafshëve, në anë të Prizrenit kemi shënuar të përdoret emri:

Shúmë emër lope, përdorur me eufemizëm në kuptimin “me u ba shumë lopë” (Mazrrek – Hasi i Prizrenit). /Revista “Akademia”/Telegrafi/

_________________

Bibliografia

Asani 2012 = Asani, Bexhet, Këngët popullore rituale toske të trevës së Strugës, Strugë, 2012.

Cuka 2014 = Cuka, Arjeta, E folmja dhe toponimia e Martaneshit, Disertacion doktorate, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë i Universitetit të Tiranës, Tiranë, 2014.

Dulaj 2016 = Dulaj, Fridrik, E folmja e Rahovecit me rrethinë, shqyrtime dialektologjike dhe sociolinguistike, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2016.

Luka 2017 = Luka, Gino, Shënime rreth gjuhës së nënës,Shqiptari i Italisë, 19.2.2017.

Vukanović 1940 = Vukanović, Tatomir, Lični imena kod srba, Glasnik Etnografskog Muzeja u Beogradu, Beograd,1940.

Saliu 2011 = Saliu, Shefqet, Hulumtime për luginën e sipërme të Përmetit (Rrëza dhe Shqeria), Pegi, Tiranë, 2011.

Smailović 1980 = Smailović, Ismet, Lična imena neorijentalnog porijekla u Bosanskohe rcegovačkih muslimana,Vtota jugoslovenska onomastika konferencija, Skopje, 6-9 oktomvri 1977, MANU, Skopje, 1980.