LAJMI I FUNDIT:

Selmanaj e MMPH dakordohen që kompania austriake të respektojë kontratën për hidrocentralet

Selmanaj e MMPH dakordohen që kompania austriake të respektojë kontratën për hidrocentralet

Kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj ka pritur sot në takim zëvendës ministrin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, sekretarin permanent Arben Qitakun dhe kryeinspektorin e MMPH-së, Bedri Halimin.

Temë diskutimi gjatë këtij takimi ishte lidhur me projektin e hidrocentraleve në Deçan.

Selmanaj përmes një postimi në Facebook ka treguar se janë dakorduar për aktivitete të përbashkëta dhe se kishin qëndrim të përbashkët që kompania austriake duhet ti respektoj lejet dhe kontratën për ndërtimin e tri hidrocentraleve, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu: Komuna e Deçanit padit kompaninë austriake, shkeli ligjin me hidrocentralet

“Për çdo mosrespektim ka me u përball më padi në gjykata nga ministria dhe komuna. Pa alternativë kontrata duhet me u respektua dhe nuk do të tolerojmë që për asnjë moment të mbetet lumi pa ujë, po ashtu duhet me e kthye gjendjen e lumit dhe rrugës sipas kontratës. Ne mbetemi të përkushtuar për investime të huaja por duke i respektuar ligjet e Kosovës dhe standardet evropiane! Shqetësimet e ngritura nga shoqëria civile, komuna dhe qytetarë janë të drejta”, është shprehur Selmanaj.

Telegrafi ditë më parë ka raportuar lidhur me këtë problem që po i ndodhë komunës së Deçanit dhe investitorit, për faktin se tashmë një pjesë e Lumëbardhit të Deçanit ka mbetur pa ujë, dhe se tashmë kanë iniciuar padi përmes Policisë së Kosovës./Telegrafi/