LAJMI I FUNDIT:

SBASHK-u mbështet kërkesat e punëtorëve të Postës së Kosovës

SBASHK-u mbështet kërkesat e punëtorëve të Postës së Kosovës

Punëtorët e ndërmarrjes publike Posta e Kosovës të cilët ndodhen në grevë që nga e hëna kanë marrë sot mbështetje nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK).

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj dhe anëtari i kryesisë, Ymer Ymeri gjatë një vizite në Postën e Kosovës janë takuar me kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës, Etrit Hoti dhe anëtarin e kryesisë Faton Morina, ndërkohë që kanë vizituar edhe punëtorët grevistë në Prishtinë.


Me këtë rast, kryetari Hoti i ka njoftuar sindikalistët e SBASHK-ut me gjendjen në Postën e Kosovës,  kërkesat e punëtorëve dhe hapat e mëtejmë sindikalë që do të ndërmerren për realizimin e kërkesave.

Udhëheqësit e SBASHK-ut janë solidarizuar me grevën e punëtorëve të Postës e filluar dy ditë më parë dhe kanë  shprehur përkrahje të plotë për kërkesat e tyre, duke i cilësuar ato të drejta dhe të ligjshme.

Kryetari Hoti ka falënderuar përzemërsisht kryetarin Jasharaj dhe të gjithë anëtarët e SBASHK-ut për mbështetjen e ofruar në ditët më të vështira nëpër të cilat po kalon Posta e Kosovës. /Telegrafi/