Këngëtarja amerikane, Sabrina Carpenter, ka marrë një urdhër të përkohshëm mbrojtjeje ndaj 31-vjeçarit William Applegate, i cili sipas dokumenteve gjyqësore e ka përndjekur dhe ka tentuar të hyjë në shtëpinë e saj në Hollywood Hills, Kaliforni.

Sipas kërkesës së paraqitur në gjykatë, Applegate e ka ndjekur që nga 20 prilli dhe më 23 maj ka shkuar deri te dera e shtëpisë së saj, duke tentuar ta hapë me forcë.


Edhe pasi u arrestua nga policia, ai u kthye sërish në të njëjtën adresë dy ditë më vonë.Carpenter deklaroi se sjellja e tij i ka shkaktuar stres të rëndë emocional dhe frikë për sigurinë e saj.

Ajo theksoi se pretendimet e tij se e njihte dhe se ajo e priste tregojnë një fiksim të rrezikshëm dhe irracional ndaj saj.

Gjykata e qarkut të Los Angelesit urdhëroi që Applegate të mos i afrohet më shumë se 90 metra shtëpisë së saj.

Një detektiv i Los Angeles Police Department vlerësoi se sjellja e tij përputhet me modele të njohura të përndjekjes që mund të paraqesin rrezik serioz për viktimën.

Seanca e ardhshme gjyqësore është caktuar për 17 qershor.

Ndërkohë, Sabrina po pushon pas një viti shumë të ngarkuar me turne dhe paraqitje në festivale të mëdha muzikore. /Telegrafi/