LAJMI I FUNDIT:

Sa herë pushteti në Serbi është në krizë, shpiket një atentat ndaj Vuçiqit

Sa herë pushteti në Serbi është në krizë, shpiket një atentat ndaj Vuçiqit

Vite më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u paraqit në mediat pro regjimit ose si shpëtimtar i popullit dhe njeri meritor për rilindjen e vendit ose si viktimë e atentatorëve “që janë kundër një Serbie të fortë”. Vetëm gjatë këtij viti, për shefin e shtetit serb kanë punuar regjisorë, të huaj, manjatë, ambasadorë, por edhe ish bashkëpunëtorë e ministra aktualë.

Nëse do të gjykonim sipas titujve në mediat e regjimit, në epokën e re të historisë serbe, por edhe në të gjithë historinë, pothuajse nuk ka asnjë burrështetas, përveç Fidel Kastros, i cili ishte më shpesh shënjestër e komplotistëve sesa Aleksandar Vuçiq.


Sipas mediumit serb “Nova.rs”, edhe deklarata e fundit e regjisorit të njohur Goran Markoviq, i cili theksoi se shpreson që presidenti i Serbisë ta ketë para syve fundin e Çausheskut [presidentit rumun që u ekzekutua në vitin 1989] dhe do të tërhiqet pa gjak, kaloi nëpër ‘spin centrifugën’ e qeverisë, e  cili e karakterizoi këtë deklaratë si thirrje për vrasjen e Vuçiqit në mënyrë që  të merret pushteti me dhunë, përcjell Telegrafi.

Ndër të fundit që lidhet mes kësaj deklarate dhe planeve të opozitës ishte deputeti i SNS në Kuvendin e Serbisë, Milimir Vujadinoviq.

Ai tha sot se plani i opozitës për vitin e ardhshëm është “t’ia marrë jetën presidentit ose ndonjërit nga familjarët e tij dhe kështu të fitojë pushtetin”.

Gjithçka filloi në Jajinci me zollë

Historia e parë “e madhe” për vrasjen e Vuçiqit filloi në vitin 2016, kur presidenti aktual ishte kryeministër i Serbisë. Në atë kohë pranë shtëpisë së kreut të shtetit serb në Jajinci u gjet një “Megan” me arsenal armësh dhe mediat pro regjimit dolën menjëherë me detaje se komplotistët donin ta “hidhnin në erë me zollë”.

Ndërsa ministri i atëhershëm i Policisë, Nebojsha Stefanoviq, pretendonte se policia punon ditë e natë për të zbuluar motivet dhe komplotistët, Vuçiq tha se nuk e dinte se nga ka ardhur kërcënimi, por se vrasësit e mundshëm nuk mund ta huqnin atë.

Mirëpo, ky rast nuk ka marrë epilog gjyqësor deri më sot.

Dy vite më vonë presidenti ishte sërish shënjestër e “atentatorëve”, të cilët këtë herë erdhën nga redaksia e të përjavshmes beogradase NIN.

Kreun e shtetit serb, bashkëpunëtorët e tij dhe mediat e regjimit i shqetësoi ballina e kësaj gazete javore, respektivisht fotografia e Vuçiqit e realizuar gjatë vizitës së tij në Panairin e Armëve.

As fakti se fotografia e përmendur është pronë e agjencisë së atëhershme shtetërore Tanjug nuk ka penguar aktivizimin e spin makinerisë dhe rrëfimet e reja për atentatin dhe kërcënimin ndaj presidentit. Analistët dhe ekspertët e medias të shqetësuar dolën me radhë në televizione me frekuenca kombëtare, duke vënë në dukje “mesazhe subversive”, dhe as vetë presidenti nuk përjashtoi mundësinë që kopertina e NIN të kishte një kuptim të fshehur, për më tepër:

“Është bërë me qëllim, pse ju vjen turp, pse shmangeni? Unë dua që kjo të shihet – se nuk ka asgjë tjetër përveç urrejtjes patologjike. Më quajnë tradhtar, psikopat, njeri me AIDS, deri në atë pikë sa jam kreu i mafies së drogës, se vëllai im dëgjohet me të arrestuarin që ka kultivuar marihuana, dhe e gjithë kjo tregon se politika e Marinika Tepiq dhe Dragana Gjilas në fakt është politika e Milovan Brkiqit”, tha atëherë Vuçiq në televizionin “Pink”.

Dhe ky nuk është fundi, mediat pro regjimit në episodet e shumta të këtij seriali pohuan se Vuçiqit po i përgatitej atentat gjatë zbulimit të monumentit të Stefan Nemanjës, dhe pastaj doli historia se të huajt “po i përgatitnin infarkt në avion”, përcjell Telegrafi.

Gjatë vitit 2020, Vuçiqi u atakua nga ish-kryetari i Federatës së Futbollit në Serbi, Slavisha Kokeza, ministri aktual Nebojsha Stefanoviç, ish-sekretarja e shtetit Diana Hrkalovic, klani Belivuk, presidenti i Gjykatës së Lartë Aleksandar Stepanoviq, vehabistët, shqiptarët, amerikanët, manjatët…

Popadiq: Qëllimi i gjithë kësaj ishte të largohet vëmendja nga temat serioze

Sipas psikologut social Dragan Popadiq, të gjitha këto akuza paraqesin një formë e zakonshme të komunikimit në regjimet autokratike apo diktatoriale.

“Qëllimi i akuzave të tilla është largimi i vëmendjes nga çështje më të rëndësishme. Në këtë mënyrë rritet dhe arsyetohet represioni që ekziston – nëse kërcënimi ndaj presidentit është kaq i madh, atëherë lejohen masa të jashtëzakonshme në kontrollin publik në luftën kundër disidentëve”, tha ai.

Theksimi i vazhdueshëm se presidentit i rrezikohet jeta, para së gjithash, siç thotë bashkëbiseduesi, shërben për të nisur një ndjekje mediatike ndaj disidentëve.

“Të gjithë ata më vonë paraqiten ose dyshohen se po marrin pjesë në një komplot kundër tij. Nuk ka më kufij dhe tani, pa pardon, njerëzve u mvishet diçka që nuk e kanë thënë. Kur gjërat dalin jashtë kontrollit në këtë mënyrë, udhëheqje e shtetit mund të ketë pasoja krejtësisht të paqarta. Fakti që kjo histori po shkon në absurditet ndikon në rrezikimin e presidentit, sepse kur do të shfaqet një rrezik real, shumë nuk do ta besojnë”, paralajmëron Popadiq. /Telegrafi/