Rulet grek për Shqipërinë

Na ishte njëherë jo edhe shumë kohë e largët, kur trojet shqiptare kishin një territor prej më shumë së 100000 km², na ishte njëherë edhe një njeri, një burrështetas që pati rastin ta bënte Arbërinë, na ishte dhe çfarë nuk na ishte njëherë; por që, lidhja e miqësive me armiqtë, pozicionimet politikisht të gabuara nga liderët shqiptarë, lidha në dëm të shqiptarëve e traktateve dhe marrëveshjeve shpeshherë edhe të fshehta nga ana e ndërkombëtarëve dhe jo rrallëherë edhe nga vet shqiptarët në dy shekujt e fundit dhe madje edhe tani ‘matanë e këtë anë të kufirit’, solli një tkurrje të paparë të hapësirave tokësore shqiptare, ngjashëm si tkurrjen e mishit kur hedhet mbi tiganin në vaj të nxehtë e që servohet pastaj në pjatë të huaj.
Si rezultat i gjithë këtyre veprimeve të gabuara politike e diplomatike të udhëheqësve shqiptarë, trojet shqiptare sot të shpërndara e të mbetura nën sovranitetin e shteteve fqinje si Presheva, Bujanovci e Medvegja nën Serbinë, hapësirat territoriale shqiptare nën Maqedoni, trevat shqiptare të mbetura nën Malin e Zi, si dhe Çamëria nën Greqi, solli tkurrjen përmbi 60% të territorit nga ajo që trojet shqiptare e kishin dikur; e që, për nga madhësia e pamja si një tërësi e vetme hapësinore do t’i ngjate sot pak a shumë territorit të sotëm të Portugalisë.
Fatkeqësisht kjo tkurrje e territoreve në dëm të shqiptarëve po vazhdon edhe sot e asaj dite. Loja e grekëve lidhur me territoret shqiptare nuk është edhe gjithaq e panjohur. Po aq është e njohur që grekët gjithmonë i kanë synuar të marrin në posedim ngushticat si Bosforin dikur, ose hapjen e ndonjë ngushtice tjetër si kanalin e Korintit apo zënien e ndonjë ngushtice si ngushticën e Termopileve pranë brigjeve të detit.
Ndërsa deri në fund, kësaj radhe grekët i shkuan një tjetër beteje, -jo me “Leonidas” as me “Akilin” as me ndonjë tjetër- kësaj radhe ata ia mësyn një ngushtice tjetër, t’ia marrin Shqipërisë ngushticën e Otrantos. Dhe jo me luftë, as më dhunë, por me bukurinë që vret, me dorën që e dërguan në Tiranë, me të cilën si duket arritën t’ia mpinë mendtë Bashës, ngjashëm siç ia mpinë dikur rusët e grekët së bashku Pashës në Janinë, ashtu siç edhe e gjejmë në dramën e shkrimtarit Milazim Krasniqi “Rulet ruse për Ali Pashën”.
Tani historia po përsëritet, humbja po përsëritet, po përsëritet ngase s’kemi nxjerr si duket kurrë ndonjë mësim prej saj. Po përsëritet edhe diçka tjetër, loja si në rulèt. Dhe gjithçka ishte gati që loja të fillojë, kur me 27.04.2009, ministri i punëve të jashtme i Shqipërisë, Lulzim Basha dhe homologia e tij greke Dora Bakojanis, nënshkruan në Tiranë marrëveshjen për delimitimin e kufirit detar, e cila për opinionin e gjerë publik erdhi si krejt e papritshme dhe jo transparente. Sigurisht sepse ishte lojë më rulèt dhe s’mund të luhej ndryshe. Për këtë arsye marrëveshja detare apo siç u quajt: “Marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të Shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së Drejtës ndërkombëtare.”- nga pala greke u përmbyll në një kohë rekord prej vetëm tri takimeve duke ushtruar vazhdimisht presion mbi palën shqiptare, të cilën ministrja e punëve të jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis menjëherë pas miratimit të saj në parlamentin grek e quajti si arritje historike e strategjike për vendin e saj.
Bakojanis nuk e tha pa ndonjë arsye këtë gjë. E tha për arsye se pala greke doli fituese, shumëfish bile, kurse ajo shqiptare humbëse e vërtetë nga kjo marrëveshje. Dhe tani sipas ish drejtorit të Institutit Gjeografik të Shqipërisë Dr. Myslim Pasha, i cili në studimin e tij prej 117 faqesh në lidhje më këtë çështje në të cilin sjell argumentet e tij teknike dhe hartografike për rishqyrtimin dhe mosratifikimin e kësaj marrëveshjeje, thotë se kjo marrëveshje shkel sovranitetin kombëtar të Shqipërisë duke i dhuruar hapësira detare vendit fqinjë, në bazë të së cilës Shqipëria pëson një tkurrje të hapësirës detare në një sipërfaqe prej 354 km², si dhe në gjirin e Sarandës si njëra nga vendet më të rralla dhe më të bukura turistike që shquhet për bukuritë e rivierës shqiptare të detit Jon, ku humb një sipërfaqe detare prej 15 km², hapësirë e cila në marrëveshjen e lartpërmendur është trajtuar si vijë e zakonshme bregore, edhe pse është det shtetëror i Shqipërisë. Kurse në kuadër të sipërfaqes së humbur detare prej 354 km² hyn edhe humbja e sipërfaqes në ngushticën e Otrantos që gjendet mes Shqipërisë dhe Italisë si një nga pjesët detare më strategjike të saj.
Më këtë fitore edhe kësaj radhe Greqisë si duket rulèta i shkrepi mirë duke vrarë tri shënjestra me një plumb. Sepse humbja e hapësirës territoriale të detit shqiptar duket të mos jetë humbja e vetme për Shqipërinë që del si rezultat i kësaj marrëveshjeje, e cila sipas të gjitha gjasave do ndikojë që Shqipëria të mbetet jashtë përfshirjes në projektet ndërkombëtare energjetike. Ish z.ministri i energjetikës Pajtim Bello zbuloi para mediave prapaskenat e një debati të hershëm të zhvilluar mes Tiranës dhe Athinës objekt i së cilës ishte gazsjellësi i cili do të transportojë gazin e Kaspikut nga Turqia për në Itali përmes territorit tokësor të Greqisë dhe me pas përmes detit për të arritur në tregun e madh evropian nevojat energjetike të së cilës janë në rritje çdo ditë e më shumë. Pala shqiptare në atë kohë kishte shtruar propozimin që gazsjellësi i cili do të këtë një kapacitet prej 2.5 miliard m³, të përfshijë edhe Shqipërinë duke kaluar përmes luginës së lumit Vjosa për të dalë pastaj në gjirin e Sarandës dhe prej aty përmes ngushticës së Otrantos të kalojë për në Itali, propozim i cili u mirëprit nga Brukseli por që u refuzua ashpër nga Athina. Ndërsa tani me humbjen e hapësirës detare kjo gjë bëhet edhe më e pamundur që të realizohet.
Kurse përfitimi i milionave përmes transportimit të gazit përmes gazsjellësit të planifikuar duket të mos jetë benificioni i vetëm i shënuar nga kjo marrëveshje për Greqinë. Gjasat janë reale që Greqia përmes hapësirës detare të fituar nga marrëveshja e shënuar, të përfitojë miliona euro edhe nga ndonjë burim i mundshëm nafte që gjendet aty. Në lidhe më këtë gjë Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore e Shqipërisë na bën me dije se në këtë zonë ka naftë. Qeveria shqiptare në vitin 1992 kishte zhvilluar në këto hapësira detare kërkimin e burimeve të naftës duke angazhuar në atë kohë kompaninë australiane Helinton Oil dhe me pas edhe kompaninë BHB, të cilat shpenzuan 12,5 milion dollar për hulumtime. Në vitin 2007 qeveria shqiptare angazhoi përsëri një kompani për hulumtimin e burimeve të naftës, kësaj radhe kompaninë britanike Medoil, që sipas të gjitha gjasave del se në këtë hapësirë detare duhet të ketë naftë.
Lidhur më këtë çështje të interesave ekonomike që ka Greqia nga kjo marrëveshje, koloneli në rezervë i Forcave të Armatosura Shqiptare Myslim Pasha, tregon se prirja e një pale të tretë -që në këtë rast është Greqia në raport me Shqipërinë dhe Italinë- për tu futur në hapësirën e Otrantos është prirje e cila është krejtësisht në kundërshtim me Konventën e detit, ku në një nga nenet e saj thotë: “Asnjë shtet i tretë nuk ka të drejtë që të vendos viza të drejta bazore, për të ndërprerë detin shtetëror, hapësirën e afërt vijimore dhe hapësirën ekskluzive ekonomike të shtetit tjetër.”
Po ashtu Myslim Pasha i cili është topograf dhe ekspert i matjeve detare thekson gjithashtu një shkelje tjetër nga pala greke, edhe pse në nenin e parë të marrëveshjes shprehet qartë parimi i respektimit të baraslargësisë së kufijve mes dy shteteve ku thuhet: “Kufiri ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë do të saktësohet në përputhje me parimin e baraslargësisë. Në mënyrë specifike vija e delimitimit do të jetë vija e mesme, çdo pikë e së cilës është e baraslarguar nga pikat më të afërta të vijës bazë si kontinentale ashtu edhe ishullore nga e cila matet gjerësia e ujërave territoriale detare.” Eksperti i matjeve detare Myslim Pasha, tregon se në hartimin e marrëveshjes se kufirit detar, mes pikës më të afërt bregdetare të Shqipërisë dhe mes ishullit të Korfuzit të Greqisë, në këtë hapësirë që është mjaft e ngushtë mes të dy vendeve, janë përdorë si pika referuese edhe shkëmbinjtë nënujor që shpeshherë zhduken nga sipërfaqja ujore dhe nuk duken për një kohë të gjatë. Ai thotë se në këtë zonë detare, kjo lloj matjeje që përfshin kryesisht detin mes gjirit të Sarandës dhe ishullit grek të Korfuzit, është absolutisht e papranueshme në këtë rast, sepse një matje e tillë e hapësirave detare ku përdoren edhe shkëmbinjtë nënujor si p.sh. që në këtë rast është përdorë shkëmbi Barketa, vjen në konsideratë vetëm të hapësirat e mëdha detare ku nuk ka pika bregdetare referuese, kurse assesi në hapësira të ngushta siç është rasti mes bregut të Sarandës dhe ishullit grek të Korfuzit ku brigjet e njërës dhe tjetrës palë shihen edhe me sy.
Prandaj marrëveshja e shënuar mes Shqipërisë dhe Greqisë në pranverë të vitit 2009, e cila tani gjendet në Gjykatën Kushtetuese për shkak të ankimimit të opozitës, dhe e cila nuk është bërë ende e plotfuqishme përfundimisht, si e tillë çfare është, është e pa pranueshme, duhet të shfuqizohet dhe të bëhen matjet të reja nga fillimi. Për ndryshe edhe Shqipërisë i rrezikohet seriozisht t’i shkojnë në bisht të sorrës territori i saj detar siç i shkuan Kosovës 22 hektar tokë në delimitimin e zonës kufitare me Maqedoninë.
Dhe e gjithë kjo nuk është një dramë imagjinare. Është e vërtetë, sikur që janë të vërtetë edhe aktorët e saj. Andaj liderë e politikanë gjithandej trojeve shqiptare, merrni pak mësim nga historia që të ruheni nga përsëritja e mallkimi i saj -siç porosiste Hasan Prishtina; merrni pak mësim nga drama “Rulèt ruse për Ali Pashën”, që të ruheni nga prototipi i ushtarakëve e diplomatëve si Vladimiri, Kosta, e Aleksisi, si dhe nga hijet e nga gratë që jep e që sjell drama; edhe nga prototipi i politikanëve si: Churkin, Jeremiq, Lavrov, Gruevski e Putin. Por ama ruhuni edhe nga profili i diplomatëve si Dora Bakojanis që mban në dorë ruletin drejtuar Shqipërisë.




































