LAJMI I FUNDIT:

​Rukiqi: Mbi 1 miliard euro rënia e qarkullimit në ekonominë e Kosovës, një mbyllje e dytë mund të jetë fatale

​Rukiqi: Mbi 1 miliard euro rënia e qarkullimit në ekonominë e Kosovës, një mbyllje e dytë mund të jetë fatale

Rikthimi i karantinës në fundjavë ka nxitur reagimin e shumë bizneseve të cilat u detyruan që të mos ushtrojnë veprimtarinë e tyre.

Një mbyllje si kjo dhe çdo kufizim shtesë e pa përkrahje nga Qeveria e Kosovës po shihet edhe si shkuarje drejt një kolapsi ekonomik. Kështu thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, duke shtuar se çdo mbyllje e re e pa përkrahje financiare nga shteti e rrezikon edhe humbjen e mijëra vendeve të punës.

Derisa flet për problemet që mund të krijohen nga rikthimi i karantinës, Rukiqi për KosovaPress tregon edhe se shkak i pandemisë COVID-19, ekonomia e Kosovës tashmë ka pësuar rënie të mbi 1 miliard euro krahasuar me vitin që lamë pas.

“Çdo mbyllje e re dhe çdo mos përkrahje financiare nëse ka mbyllje të re, e rrezikon shumë ekonominë e vendit, rrezikon mijëra vende pune, e po ashtu edhe nëse nuk merren masa adekuate për rimëkëmbjen ekonomike, gjithashtu edhe kjo për shumë sektorë do të jetë fatale”, ka thënë Rukiqi.

Ai thotë edhe se shkak i pandemisë COVID-19 u shuan edhe shumë vende të punës.

“Ne kemi mbi 1 miliard euro rënie të qarkullimit në ekonominë tonë, në krahasim me vitin e kaluar. E shohim që kemi efekte edhe tek buxheti i vendit, për shkak se dogana nuk ka arritur që të përmbushë planin të cilin e ka pasur. Nëse e krahason me vitin e kaluar, njëjtë është edhe tek mbledhja e tatimeve, po ashtu kemi shumë vende pune të cilat veç kanë filluar të shuhen, për shkak se ka rënë kërkesa në përgjithësi edhe gjitha këto e bëjnë situatën tani në këtë dimër, krahas edhe panikës edhe sigurisë sa i përket menaxhimit të pandemisë, e bëjnë situatën shumë të vështirë”, tha ai.

Situata ekonomike e krijuar nga pandemia COVID-19 u bë edhe arsye e takimit të së martës me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti dhe drejtorit të Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEAK), Arian Zeka dhe kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi.

Rukiqi tha se në këtë takim kanë ndarë shqetësimin rreth çdo mbylljeje dhe kufizimi shtesë i cili rrezikon sistemin financiar në vend. Mes tjerash ai thotë se situata ekonomike në vend asnjëherë nuk ka qenë e lakmueshme por që pandemia tani ka krijuar pasoja afatgjate në shumë sektorë.

“Ndamë shqetësimin e përbashkët që çdo mbyllje e re, apo kufizim shtesë tash e rrezikon edhe sistemin financiar. Dhe kur rrezikohet sistemi financiar, atëherë ai kolaps i shtetit është shumë afër. Situata nuk është e lehtë, domethënë ne kurrë nuk kemi pasur situatë ekonomike të lakmueshme, ndërsa pandemia këtë vit veçse ka lënë pasoja afatgjate në shumë sektorë edhe të pariparueshme”, ka thënë Rukiqi.

Ndërsa nga BQK nëpërmjet një komunikate, treguan se në takimin me përfaqësuesit e odave ekonomike u diskutuan parametrat aktualë ekonomikë dhe financiarë, ndërsa u theksua shqetësimi i përbashkët që aplikimi i masave të reja për kufizimin e aktiviteteve ekonomike do të kishte në operacionet e ndërmarrjeve, por edhe në kërcënimet për stabilitetin e sektorit financiar. /Telegrafi/