LAJMI I FUNDIT:

Rukiqi: Investimi në autostrada jo i qëlluar, forma e mbushjes së buxhetit duhet të ndryshojë (Video)

Rukiqi: Investimi në autostrada jo i qëlluar, forma e mbushjes së buxhetit duhet të ndryshojë  (Video)

Berat Rukiqi, këshilltar në Oden Ekonomike të Kosovës (OEK) në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Lulzim Ahmeti ka thënë se procesi i planifikimit të buxhetit dhe rishikimi i buxhetit të kaluar u është bërë në rrethana të vështira politike.

Sipas tij, shkak i kësaj është kriza politike në vend si dhe mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme dhe atyre lokale.


“Procesi i planifikimit të këtij buxheti dhe rishikimit i buxhetit të vitit të kaluar ishin të kufizuara dhe të penguara, thënë më mirë në rrethana të vështirësuara. Kjo për shkak të krizës politike e lidhur me zgjedhjet si ato të përgjithshme dhe lokale. Debati është orientuar në diskurse politike dhe partitë kanë pas interes për fushatat dhe rezultatet zgjedhore”, tha Rukiqi.

Rritja e buxhetit për sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë në buxhetin e vitit 2018, sipas tij, është hap i qëlluar, mirëpo është shqetësuese investimi i vazhdueshëm në nderimin e rrugëve dhe autostradave.

Rukiqi ka kritikuar edhe pagesën e 63 milionë eurove më shumë se sa është kostoja për Autostradën Prishtinë – Hani i Elezit.

“Parat po i dërgojmë në infrastrukturë. Pjesa dominuese është investimi në autostrada, të cilat e kanë rregulluar imazhin, mirëpo duhet pasur një kufi, pasi nuk e kemi buxhetin aq të madh sa investimet t’i kemi gjithmonë nga buxheti dhe t’i investojmë në rrugë. Ka forma tjera që mund të jenë edhe të partneritetit publiko privat. Është e vërtete që ka progres tek sektori i bujqësisë, por pjesa më e madhe e buxhetit duhet të shkoj në atë se çka i sjell investime më të mëdha Kosovës. Ka shumë më shumë mundësi të investohet në energji, arsim, turizëm ose të dërgohen në perfomanca të eksportit”, theksoi ai.

Duke folur për investimet në sektorin e infrastrukturës, Rukiqi tha po ashtu se Kosova nuk e ka komoditetin që të investojë vetëm në këtë fushë.

“Kosova ka shumë prioritete në vazhdimësi dhe jemi ende në fazën e shtet ndërtimit dhe nuk e kemi komoditetin që të investojmë vetëm në infrastrukturë. Mendoj që Autostrada për Gjilan është hap i gabuar, sepse nuk i plotëson standardet minimale. Kemi lidhjen e korridoreve që e kemi nis nga Shqipëria, por edhe kjo nuk mund të përfundoj pa u lidhur me Nishin”, u shpreh ai.

Një mundësi tjetër për investime është edhe sektori i hekurudhave, ku transporti ka kosto të ulët për bizneset.

Këshilltari i OEK-ut Berat Rukiqi ka kritikuar formën e mbushjes së buxhetit që sipas tij, modeli i mbledhjes së të hyrave vetëm nga Dogana e Kosovës duhet të ndryshojë.

“Janë dy probleme: aspekti i mbledhjes së të hyrave dhe e dyta që lidhet drejtpërdrejtë me investime kapitale. Ky model duhet të ndryshohet. Prej Doganës e mbushim buxhetin, por duhet ndërruar ky sistem. Ende nuk ekziston një plan për ndryshim”, ka thënë Berat Rukiqi. /Telegrafi/