LAJMI I FUNDIT:

Rrugët e ndriçuara po testohen në pjesët rurale të Australisë

Rrugët e ndriçuara po testohen në pjesët rurale të Australisë

Në Victoria të Australisë, linjat rrugore janë shënuar me një ngjyrë të veçantë që shkëlqen në errësirë.

Ekspertët parashikojnë se kjo teknologji mund të përmirësojë ndjeshëm sigurinë në trafik, veçanërisht në zonat rurale ku nuk ka drita rrugore, transmeton Telegrafi.


Vdekjet në rrugët rurale në Victoria janë rritur me 30 për qind krahasuar me vitin e kaluar, me 45 për qind që përfshijnë automjete që dalin nga rruga pas errësirës.

Inxhinierët e ndërtimit thonë se shenjat fotolumineshente mund të jenë një nga mënyrat më efektive për zgjidhjen e këtij problemi, veçanërisht në zonat rurale, ku është më e vështirë të ndjekësh një rrugë gjarpëruese dhe të valëzuar gjatë natës.

Kompania Tarmac Linemarking me seli në Barinsdale punoi për të instaluar 700 metra linja fotolumineshente në rrugën Metung në maj.

Më pas, 1.8 kilometra të tjerë shirita ndriçimi u instaluan në shtegun e përbashkët të ciklit dhe këmbësorëve në Bendigo Creek Trail, dhe në seksionin rrugor Whittlesea-Kinglake.

Shenjat thithin dritën e diellit, lëshojnë dritë të ruajtur kur është errësirë ​​dhe synojnë të ndriçojnë rrugët me kthesa, kryqëzime ose ku nuk ka drita rrugore.

Ditët me re e zbehin shkëlqimin, por shenjat mbeten të dukshme për shkak të bazës së bardhë reflektuese, të ngjashme me shenjat e zakonshme rrugore.

Projekti është pjesë e programit të Victoria për sigurinë rrugore prej 457 milionë dollarësh. Ky është shteti më i vogël për nga territori, por më i denduri në Australi, duke pasur parasysh se mbi pesë milionë banorë jetojnë në një sipërfaqe prej 227,000 km2, nga të cilët rreth 1.5 milionë jetojnë në zona rurale.

Sidoqoftë, jo të gjithë e shohin avantazhin në instalimin e shiritave të dritës. Gjegjësisht, aktivistë të caktuar besojnë se ndriçimi artificial i dëmton kafshët e egra.

Projekte të ngjashme u testuan në nivel ndërkombëtar pothuajse 10 vjet më parë, dhe përfshinte pjesë të autostradës në një gjatësi prej 100 km në juglindje të Amsterdamit. /Telegrafi/