LAJMI I FUNDIT:

‘Rruga e Mëndafshit’ nuk kalon më nga Gjermania – reduktohet varësia ekonomike e Evropës nga Kina

‘Rruga e Mëndafshit’ nuk kalon më nga Gjermania – reduktohet varësia ekonomike e Evropës nga Kina

Derisa marrëdhëniet midis Berlinit dhe Pekinit përkeqësohen, qyteti gjerman i Duisburgut aktualisht ka kufizuar lëvizjen e trenave të mallrave nga Kina.

Siç raporton britanikja Financial Times, shkollat për drejtimin e kamionëve në periferi të qytetit gjerman të Duisburgut, në vitin 2019, deklaruan se nisma e “Rrugës së Mëndafshit” të Pekinit kishte ndezur një bum në sistemin lokal të zinxhirit të furnizimit.


Sot, biznesi përfiton nga mungesa e shoferëve të aftë të kamionëve, por jo për shkak të strategjisë globale të zhvillimit të infrastrukturës së Kinës.

Duisburg, një qytet me gjysmë milioni banorë, ndodhet në zemrën industriale të Gjermanisë në bashkimin e lumenjve Rhine dhe Ruhr. Një rënie në industrinë e çelikut dhe qymyrit të vendit në vitet 1990 dhe fillim të viteve 2000 goditi ekonominë e tij. Megjithatë, qyteti gjeti shpëtimin në personin e presidentit kinez Xi Jinping, i cili e vizitoi atë në vitin 2014 për të nxjerrë në pah zyrtarisht portin e tij si qendrën kryesore të “Rrugës” në Evropë.

Dhe ndërsa kjo nxiti pritjen e një rritje të re, ngjarjet e fundit sugjerojnë se perspektivat po zbehen. Në një farë mase ato kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë, si dhe me marrëdhënien e vështirë të Gjermanisë me Kinën.

Kancelari Olaf Solz ishte lideri i parë evropian që vizitoi Pekinin pasi Xi Jinping siguroi një mandat të tretë si president në kongresin e Partisë Komuniste.

Por qasja gjermane kohët e fundit është tronditur nga marrëdhënia miqësore e Kinës me Rusinë, çështja e Tajvanit dhe të drejtave të njeriut, dhe një deficit tregtar në rritje me të parën. Gjermania aktualisht po rishikon marrëdhëniet e saj me Pekinin, ndërsa udhëzimet e reja të Berlinit pritet të bëhen publike në javët në vijim.

Në bazë të drafteve duket se deputetët gjermanë kërkojnë të krijojnë një qëndrim politik dukshëm më të ashpër ndaj Kinës, ndërsa në të njëjtën kohë duan të ulin varësinë ekonomike nga vendi. Linjat e ashpra po propozojnë frenim të investimeve në Kinë, si dhe monitorim më të rreptë të kompanive që varen shumë prej saj. /ScanTV/