LAJMI I FUNDIT:

Rruga e Arberit, nje korridor gjitheshqiptar

Rruga e Arbrit ka qenë rrugë e vjetër më rëndësi krahas rrugës Egnatia. Ajo njihet si rruga Durrës – Fusha e Arbërit (Tiranë) – Mat – Dibër. Kjo rrugë kalonte nëpër territorin e shtetit të Arbërit, që siç dihet nga historia shtrihej nga Mirdita e sotme, përfshinte Matin, Çermenikën, Tomadhen, Benden, fushën e Tiranës e të Krujës dhe deri në Elbasan, pa përfshirë një brez bregdetar ne të dy anët e qytetit të Durrësit.

Kjo rrugë njihet që në shekullin e parë në kohën e romakëve. Por në Mesjetë mori rëndësi edhe me ndërhyrjen e venedikasve, ajo edhe rinovohej herë mbas here, duke ndërtuar mure mbrojtëse, ura të stilit venecian etj. Rruga për arsye të thyerjeve të terrenit shfrytëzohej për karvane dhe atje ku ishte e përshtatshme shfrytëzohej me karro të tërhequra me kafshë (kuaj e qe).


Kjo rrugë shërbente në mënyrë të veçantë për tregtinë me Venedikun, Raguzën, Romën etj., me vendet lindore të Adriatikut. Për këtë dëshmojnë edhe dy dokumente të vjetra: E para në fillim të shekullit të XIII-të, ku Dhimitri “Princi i madh i Arbrit” garanton kalim të sigurt në tokat e tij, pra nëpër rrugën e Arbrit. E dyta është e vitit 1429, e cila është firmosur nga Gjon Kastrioti dhe bijtë e tij, ku figuron dhe Gjergj Kastrioti.

Rruga e Arbrit është përdorur gjerësisht në kohën e Gjon Kastriotit dhe birit të tij Skënderbeut. Kjo rrugë që kalonte afër kalasë së Petralbës, në Gur të Bardhë, lidhte këtë kala të rëndë sishme më kalanë e Stelushit, me atë të Sfetigradit, të Petrelës dhe atë të Krujës.

Rruga e Arbrit fillon në Durrës, kalon nëpër fushën e Tiranës, në Shkallë të Tujanit, në fshatin Bastar dilte në Qafë Murrizë, kalon nëpër Xibër, në Qafë Shkallë dhe dilte të Pazari i Urës në Klos dhe nëpër Klos katund dilte në Qafë Buall – Bulqizë – Vau i Drinit – Gjoricë – Dibër – Shkup. Kjo rrugë ka vazhduar deri në 1932, kur është hapur rruga automobilistike Krujë Burrel. Që në atë kohë nuk është përdorur më dhe kalldrëmet dhe gjurma e rrugës është prishur.

Qyteti i Tiranës pas vitit 1922 kur filloi të rritet, rrugën që vazhdonte në atë të vjetrën e emëroi Rruga e Dibrës dhe në atë emër është dhe sot. Ndërsa rruga nga jashtë rrethinave të qytetit të Tiranës; Rrapi i Treshit – Brar – Qafë Murizë – Qafë Buall – Dibër quhet Rruga e Arbërit. Leverdia që ka kjo rrugë është se shkurton distancën rreth 100 km, ndërtohet sipas parametrave kohorë, përmirëson jetesën e 1.5 milion banorëve, lidh popullsinë e Maqedonisë Perëndimore e Kosovën me portet e Durrësit dhe të Shëngjinit Lezhë, me Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinë e Kroacinë, duke përtërirë traditat e tregtisë e të bashkëpunimit më shtetet që përbënin Jugosllavinë.

Hapja e kësaj rruge është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Rrugëve që në vitin 2004 dhe ka filluar punimet vitin e kaluar në segmentin Ura e Çernecit deri në Bulqizë, si dhe ka përfunduar projekti Bulqizë – Ura e Vashës në Gur të Bardhë, si dhe vazhdon puna për projektin Ura e Vashës – Qafë Murrizë – Tiranë.

Kështu plotësohen kërkesat dhe dëshirat e tërë banorëve të këtyre trevave. Ne gëzohemi shumë për këtë zhvillim të rëndësishëm në favor të zhvillimit ekonomik kulturor të vendit. Por mendojmë se disa probleme që kanë të bëjnë me këto zhvillime të shihen ma mirë, ma me përgjegjësi, ma me perspektivë dhe në kompleks me njëra tjetrën.

Sot në Shqipëri janë dhjetëfishuar automjetet, është dhjetëfishuar sasia e mallrave dhe ka lëvizje të dendur prandaj elementi i parë i zhvillimit është rruga. Ekonomia e tregut sot kërkon të kesh një strategji të hartuar me shumë kujdes, ku të merren parasysh se cili korridor rrugor do të kompletohet më parë me transversalet e tij, cilat nga këto kanë ma tepër leverdi ekonomike, politike, turistike etj., dhe të punohet për të zbatuar dhe jo të ndryshohen planet sa herë ndërrohen qeveritë, siç është edhe rasti i prishjes së hekurudhës Milot – Rrëshen.

Kështu vendi ynë do të ketë perspektivë të madhe në shfrytëzimin e resurseve si të mineraleve, prodhimeve bujqësore, blegtorale, pyjore, turizmin malor që është nga ma të përshtatshmit, sepse nga Tirana shkon për një orë në plazh, ashtu si mund të shkosh për klimë të freskët në Qaf- Shtamë ose Qafë Murrizë etj., nëse rrugët do të ishin të përshtatshme.

Rruga e Arbrit, me degëzimet e saj, do të krijojë mundësi për gjallërimin e bujqësisë dhe të industrisë, për mundësinë turistike dhe lëvizjes së njerëzve, si dhe për të përmirësuar aksesin ekonomik të dibranëve dhe të shqiptarëve në atë anë të kufirit deri në Shkup, për të cilën- ato janë shumë të nevojshme. Kjo do të mundësojë zhvillimin e tregut, zhvillimin ekonomik, marrëdhëniet midis trevave shqiptare, stabilitetin social e kulturor të gjithë rajoneve të Shqipërisë.

Duke e ditur se zona e Matit, Bulqizës, Dibrës etj. janë vende me pasuri nëntokësore, sidomos kromeve, rregullimi i rrugëve do të mundësojë interesin e investitorëve të huaj për të shfrytëzuar mineralet e për të hapur vende pune. Ky korridor rrugor Dibër – Qaf Buall – Qafë Murrizë – Tiranë nuk do të kishte të plotë vlerën e saj në rast se traseja e saj nuk do të kalonte në qytetin e Klosit. Prandaj mendojmë dhe propozojmë që të rishikohet projekti i segmentit Bulqizë – Ura e Vashës, duke marrë parasysh shfrytëzimin e tunelit të tranverbangut që është hapur në Klos dhe prej këndej të vazhdojë projekti siç mund të jetë ma i përshtatshëm e ma i leverdishëm. Pra të shfrytëzohen qindra metra tunel dhe të lidhet qyteti i Klosit me rrugën e re.

Qyteza e Klosit nyje e rëndësishme rrugore për gjithë zonën verilindore. Klosi ka qenë nyje e vjetër rrugore që në kohën e Ilirëve. Aty bëhej pazari i Urës, që Hahn dhe udhëtarë të tjerë të huaj e kanë vlerësuar si një nyje tregtare midis trevave të Tiranës, Krujës, Matit, Dibrës e më gjerë.

Ne jemi të mendimit që të ripunohet strategjia rrugore duke pasur për bazë edhe si qendër Klosin, nga ku mund të nisin rrugë të shkurtra për në qendra të rëndësishme si në portin e Shëngjinit, në Liqenet e Lurës, në Peshkopi, në Rrëshen e në shumë qendra rurale e ekonomike. Kjo mund të arrihet duke rikonstruktuar rrugët ekzistuese dhe duke hapur rrugë të reja nëpër vende të përshtatshme dhe më leverdi ekonomike.

Rikonstruksioni i rrugës Klos – Shoshaj – Rrëshen (takimi me rrugën Rrëshen – Morinë). Kjo rrugë do të kishte leverdishme të madhe për shqiptarët e Maqedonisë dhe për vetë Maqedoninë e cila mund të shfrytëzonte këtë rrugë (Blatë – Klos – Shëngjin) për të shfrytëzuar portin e Shëngjinit, për të shkuar në Mal të Zi, Kosovë e në zona të tjera. Shteti maqedonas shfrytëzon për tregti portin e Selanikut që është 100 km më larg se porti i Shëngjinit.

Duke ndërtuar një rrugë Klos – Cerujë – Patin , Qafë Burrel – Qafë Murrë – Guri i Vashës, Liqenet e Lurës, bëhet e mundshme ndërtimi dhe vënia në efiçencë e qendrës turistike të liqeneve të Lurës dhe të zonave turistike të tjera të cilat mund të bahen ma të mirat në Evropë dhe mund të konkurrojnë me sukses turizmin alpinistik, malore e klimaterik.

Kjo zonë ka objekte shumë të rëndësishme historike, sidomos për historinë e Kastriotëve, Arbërve etj. Krijohen mundësi të mira për shfrytëzimin e mineraleve të kromit, bakrit e pyjeve dhe lidhjen e fshatrave të thella me qendrat rurale e qytetare të rëndësishme.

Në Klos mund të ndërtohen e të vendosen agjenci të shumta tregtare, informacioni, të ndërtohet infrastrukturë për ruajtjen e shpërndarjen e mallrave si në veri dhe në jug e tj. Kjo qendër forcon lidhjet midis shqiptarëve e maqedonasve, forcon marrëdhëniet midis dy kombeve, paqen e mirëkuptimin e ndërveprimin ndërmjet palëve.

Gjithashtu ringjall traditën e vjetër qindravjeçare të bashkëpunimit e bashkëjetesës midis shqiptarëve e maqedonasve. Dikur në kohë të vjetra Durrësi ka pasur si fqinj qytetin e Dibrës, midis këtyre qyteteve të vjetër bëhej tregti dhe zhvillohej qytetërimi që na mundohemi ta ringjallim.

Natyrisht ka vështirësi ndërtimi i këtij korridori dhe kërkon fonde, por është plotësisht i mundur dhe i a vlen që çdo shqiptar të sakrifikojë, qoftë kjo edhe përmes ndonjë takse të lehtë. Kjo do të shkurtonte ndjeshëm kohën e udhëtimit dhe do të rriste fitimet, nga shkurtimi i kohës, kursimi i karburantit, amortizimi i automjeteve. Fitimet nga kjo janë 50 % për çdo vit të ekonomisë shqiptarëve. Specialistët këtë e kuptojnë fare mirë por nuk kanë ngritur zërin, nuk shpalosin ide e propozime të qarta.

Korridori i rrugës së Arbrit bashkë me rikonstruksionin e rrugës tashmë të vjetër Klos – Shoshaj – Rrëshen – Milot, do të përmirësojë dukshëm gjendjen e keqe ekonomike të zonës verilindore Mirditë, Mat e Dibër dhe në kompleks me rrugën e re Rrëshen – Kalimash – Qaf Morinë do të ishte një rilindje e krejt zonave verilindore të vendit tonë, që për nga sipërfaqja përfaqësojnë 1/3 e krejt territorit të vendit.

Mos interesimi i duhur i qeverisë tonë për Korridorin 8 ka bërë që ky shans i madh me të vërtetë të humbë, duke bërë të mundur ngecjen në vend të ekonomisë e zhvillimit. Zyrtarët përkatës nuk e kanë pasur dhe as e kanë të qartë se çdo të thotë zhvillim rrugor i vendit ç’janë të mirat që na sjellin korridoret ndërballkanike e Ndërevropiane. Në rast se krerët e dikastereve nuk janë specialistë të këtyre fushave, atëherë ato duhet të thithin mendimin e specialistëve të mirëfilltë që vendi ynë ka me bollëk dhe shumë të zot e të përkushtuar, por ata nuk i pyet njeri.

Politika e ka vënë në dukje rëndësinë e rrugëve në Shqipëri dhe ka plot 17 vjet që hidhen fjalë në ajër, jepen variante, propozime nga mediet deri dhe në absurditet si hapja e tunelit Durrës – Bari, apo Fush-Krujë – Burrel. Por konkretisht siç po lexoni edhe në faqet këtu më sipër nuk është bërë sa u bë në 10 vjet të monarkisë së Ahmet Zogut, 80 vjet ma parë kur shkëmbinjtë hapeshin me vare e qysqia.

Kurse sot zhvillimi i teknikës rrugorë ka arritur perfeksionimin më të lartë. Punimet rrugore për gërmim e betonim sot janë gjërat më të thjeshta dhe vetëm kërkojnë fondet përkatëse mbasi nuk ka ndonjë vështirësi teknologjike të sofistikuar. Të mos hapësh rrugë sot në shekullin e XXI është pazotësi, dembelizëm dhe anti-zhvillim.

Sot është duke u kryer një punë shembullore për ndërtimin e rrugës Rrëshen – Kalimash – Morinë dhe kjo duhet konsideruar si një aksion i madh mbarëkombëtar e nuk duhet të hiqet vëmendja në realizimin e lënien e punëve, sepse kjo rrugë siç është thënë është shpresa e kombit shqiptar. Por jo vetëm kjo, por dhe korridore të tjera si ai me Maqedoninë, me qytetet bregdetare shqiptare me zonat e brendshme të Shqipërisë, do të bëjnë që vendi ynë të shkojë në Evropë me dinjitet.

Specialist ushtarak në shërbimin xhenier. Studiues i Etnologjisë