LAJMI I FUNDIT:

Rritja e zhvillimit ekonomik – bëhet thirrje për bashkëpunimin e bizneseve me Qeverinë

Rritja e zhvillimit ekonomik – bëhet thirrje për bashkëpunimin e bizneseve me Qeverinë

Është mbajtur sot takimi i radhës i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, nën kryesimin e kryeministrit, Albin Kurti. Në mesin e pjesëmarrësve ishin dhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi e ministra e përfaqësues nga kabinetet qeveritare.

Në fjalën e tij, kryeministri tha se një dialog i fuqishëm publik privat forcon besimin ndërmjet dy sektorëve prandaj është thelbësore të kuptojmë se si një dialog i tillë i strukturuar mirë mund ta transformojë ekonominë tonë.


Sipas njoftimit për media thuhet se kryeministri u bëri thirrje bizneseve tona më konkurruese, shoqatave të biznesit dhe projekteve të financuara nga donatorët që të vazhdojnë e forcojnë edhe më tej bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës, për të zhvilluar plane strategjike dhe operacionale që rrisin investimet e huaja direkte, eksportet dhe nxisin zhvillimin efektiv të biznesit.

Para të pranishmëve, kryeministri listoi disa prej të arriturave të periudhës së fundit, nga inaugurimi i Programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, MCC, përmbyllja me sukses e ankandit të parë diellor prej 100 MW e deri tek vlerësimi pozitiv nga Fitch Ratings.

Zëvendëskryeministri Bislimi në adresimin e tij trajtoi Planin e Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, synimet e objektivat e tij.

“Korniza e fushave ka qenë standarde dhe e vendosur nga Komisioni Evropian dhe përbën pesë prej tyre: qeverisja; tranzicioni i gjelbër dhe digjital; zhvillimi i sektorit privat dhe mjedisin e biznesit; edukimin apo zhvillimin dhe ruajtjen e kapitalit njerëzor; dhe vlerat themelore dhe sundimi i ligjit”, ka deklaruar Bislimi

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pasi bëri një përmbledhje të skemave për efiçiencë të energjisë, tha se me nivelin e investimeve që parashihen në këtë sektor, Kosova është e para në rajon që ka kaq shumë investime në këtë fushë në këtë kohë kyçe, ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se mbështetja e krijimit të parqeve moderne industriale është një nga masat prioritare të politikës së parë industriale 2030, pra që nga koha e pas luftës, e cila është një strategji zhvillimore gjithëpërfshirëse për sektorin e prodhimit të Kosovës.

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi paraqiti disa prej aktiviteteve që janë ndërmarrë gjatë kësaj periudhe prej takimit paraprak të këtij Këshilli në shkurt të këtij viti, si vazhdimi i punëve në projektet e ndryshme infrastrukturore në vend. /Telegrafi/