LAJMI I FUNDIT:

Rritja e inflacionit po e ngadalëson rritjen ekonomike në rajonet e BERZH-it

Rritja e inflacionit po e ngadalëson rritjen ekonomike në rajonet e BERZH-it

Inflacioni, i nxitur nga çmimet e larta të gazit dhe kushtet më të shtrënguara të financimit, po ngadalësojnë rritjen në Evropën në zhvillim dhe më gjerë.

Siç raporton Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në parashikimin e fundit të Perspektivave Ekonomike Rajonale, prodhimi në rajonet e bankës, tani parashikohet të rritet me 2.2 për qind në vitin 2023, më pak se shifra prej 2.3 për qind e parashikuar në përditësimin e shkurtit.


Rritja pritet të përshpejtohet në 3.4 për qind në vitin 2024 nga parashikimi prej 3.3 për qind në muajin shkurt, ndërsa trysnitë inflacioniste po ulen gradualisht.

Faktorët e uljes së parashikimit për vitin 2023, përfshijnë ndikimin ekonomik të tërmeteve të shkurtit dhe shtrëngimin e pritshëm të kushteve të kreditimit më vonë gjatë këtij viti në Turqi, reformat e vonuara në Mesdheun Jugor dhe Lindor dhe efekti i rritjes së ulët në ekonomitë e zhvilluara, inflacioni i vazhdueshëm dhe kushtet më të shtrënguara të financimit në Evropën Qendrore dhe në shtetet baltike.

Rritja në vitin 2022, ra në 3.3 për qind nga 7.2 për qind në vitin 2021, para luftës së Rusisë në Ukrainë. Dhe një fillim i fortë në vitin 2022, pjesërisht falë rimëkëmbjes pas pandemisë COVID-19, u pasua nga dy tremujorë radhazi me rritje negative në gjysmën e dytë të vitit.

Recesioni teknik është i katërti që godet rajonet e BERZH-it që nga mesi i viteve 1990, të tjerat janë ato pas krizës ekonomike aziatike dhe ruse të viteve 1997-1998, rrëzimit financiar global të viteve 2008-2009 dhe pandemisë.

Megjithatë, të dhënat e vlerësimeve të hershme të rritjes tremujore të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2022, janë ende paraprake dhe mund të jenë subjekt i rishikimit.

Inflacioni ka filluar të bjerë, pasi çmimet e energjisë janë moderuar, por në mars, ai ende ishte mesatarisht 14.3 për qind në të gjithë rajonet e BERZH.

Rezultatet e hershme nga anketa Life in Transition, e mbajtur nga BERZH në partneritet me Bankën Botërore, tregojnë se 55 për qind e familjeve në rajonet e BERZH, nuk mund të kursejnë, pasi jetojnë me paratë e pagës mujore, ndërsa 10% e të anketuarve raportojnë se kanë borxhe. /Telegrafi/