LAJMI I FUNDIT:

Rritet raporti i borxhit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto në BE

Rritet raporti i borxhit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto në BE

Raporti i borxhit të qeverisë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në Bashkimin Evropian u rrit në 89.8 për qind në fund të tremujorit të tretë të vitit 2020.

Sipas Zyrës evropiane të Statistikave, në mes të ndikimit të politikave për përgjigje të masave për parandalimin e COVID-19, raporti u rrit nga 87.7 për qind në tremujorin e mëparshëm dhe 79.2 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2019.


Shifra në Eurozonë arriti 97.3 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2020, nga 95 për qind në tremujorin e mëparshëm dhe 85.8 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2019.

Rritjet janë shkaktuar nga dy faktorë, borxhi qeveritar në rritje të konsiderueshme dhe PBB-së në rënie.

Vendet me raportin më të lartë të borxhit të përgjithshëm qeveritarë ndaj PBB-së në bllok janë Greqia 199.9 për qind, Italia 154.2 për qind dhe Portugalia me 130.8 për qind.

Këto vende u pasuan nga Qiproja Jugore me 119.5 për qind dhe Franca me 116.5 për qind.

Pesë shtete shënuan rënie në raportet tremujore të borxhit ndaj PBB-së ndërsa 20 shtete anëtare regjistruan rritje.

Raporti mbeti i qëndrueshëm në Estoni dhe Holandë.

“Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019, të gjitha vendet anëtare regjistruan një rritje të raportit të tyre të borxhit ndaj PBB-së në fund të tremujorit të tretë të vitit 2020”, theksoi Eurostat, shkruan AA.

Të dhënat treguan se raporti i rregulluar sezonal i qeverive të deficitit ndaj PBB-së shënoi rënie në 5.8 për qind në Eurozonë dhe në 5.6 për qind në vendet e BE-së.

“Raporti i deficitit ndaj PBB-së ishte më i ulët për shkak të rritjes së PBB-së, të ardhurave më të larta dhe shpenzimeve më të ulëta. Në tremujorin e tretë të vitit 2020, të gjitha vendet anëtare vazhduan të regjistrojnë deficit qeveritar”, shtoi Eurostat.

Shpenzimet totale të qeverive në zonën e euros ishin 52.1 për qind të PBB-së gjatë së njëjtës periudhë, nga 59.6 për qind në tremujorin paraardhës.

Ky numër ishte 51.6 për qind në BE, nga 59 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2020. /Telegrafi/