LAJMI I FUNDIT:

Rriten kreditë individuale, frenojnë ato për biznese

Rriten kreditë individuale, frenojnë ato për biznese

Huaja për individët ka shënuar një rritje të ndjeshme në muajin mars, sipas statistikave të publikuar asot nga banka e Shqipërisë, duke ndikuar në gjallërimin e kredisë për gjithë ekonominë.

Sipas Bankës së Shqipërisë stoku i huas për ekonominë arriti në 547.4 miliardë lekë në mars, me një rritje prej 1.6 miliard lekë në krahasim me muajin e mëparshëm, apo rreth 0.3%.


Ky është zgjerimi më i madh mujor që nga nëntori i këtij viti dhe ka ardhur pothuajse tërësisht nga huaja që është dhënë për individët dhe familjet.

Kredia për individët arriti në 169.4 miliardë lekë, me një rritje prej gati 1% në raport me muajin e mëparshëm.

Huaja për individë ka shënuar rritje si në lekë, ashtu dhe në valutë.

Bankat së fundmi po targetojnë gjithnjë e më shumë familjet dhe individët, pasi ato kanë rezultuar kredimarrës më të mirë në raport me bizneset dhe janë më korrektë në kthimin e kësteve. Edhe vrojtimi i fundit i kredidhënies i Bankës së Shqipërisë tregonte se bankat i mbanin të shtrënguara standardet e kredisë për bizneset dhe i kishin lehtësuar për individët. Ofertat e bankave për kredi për shtëpi kanë qenë mjaft të leverdishme muajt e fundit.

Ndërsa huaja për bizneset ka shënuar një rritje fare të lehtë në mars, në krahasim me muajin e kaluar.

Me bazë vjetore (mars 2017/mars 2016), kredia për ekonominë është rritur pothuajse zero, duke treguar për një ngërç të kreditimit në vend, sidomos tek bizneset, që është tkurrur me 1.1%. Ndërsa huaja për individët është rritur me 3.4% për të njëjtën periudhë. /RevistaMonitor/Telegrafi/