LAJMI I FUNDIT:

Rriten çmimet e produkteve ushqimore (Video)

Rriten çmimet e produkteve ushqimore (Video)
Foto: Ilustrim

Pas rritjes se të hyrave nga vendosja e taksës  për produktet e importuara nga Serbia, qytetarët ankohen se janë rritur çmimet. Sipas tyre, ata nuk blejnë produkte që e dinë se vijnë nga Serbia.

Konsumatorët thonë se produktet ushqimore janë shumë të shtrenjta, ndërkaq shtojnë se nuk blejnë produktet për të cilat janë në dijeni se vijnë nga Serbia.

“Produktet e qumështit, pemët dhe perimet me ditë që janë nga Serbia nuk do i kisha blerë”, shprehet konsumatori Shefki Krasniqi, për RTV Dukagjinin.

“Me i ditë që janë nga Serbia nuk i blej, por nëse nuk i di atëherë mund t’i blejë”, thotë konsumatori tjetër Gani Gjyliqi.

Ndërkaq ka prej atyre që nuk po vërejnë ngritje çmimesh.

“Mbase po thonë të gjithë se nuk do t’i blejnë produktet serbe mundet me ndikua, por nuk ma merr mendja”, thotë Kamer Statovci.

Se janë ngritur çmimet e produkteve ushqimore ka bërë të ditur edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës përmes ueb faqes së tyre.

“Në tremujorin e tretë të vitit 2018, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për (2.00 %), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka  rritje për (9.77 %). Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për ( 6.54 %), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit  2017”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Që nënkupton se rritja më e madhe e çmimeve është bërë në pemë dhe perime.

Megjithatë nuk dihet nëse kjo po vije pas taksës prej 10% ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja. Ndërkohë që drejtori i Doganës së Kosovës Bahri Berisha, njofton se pas vendosjes së kësaj takes 50% më pak është eksportuar për në Kosovë nga këto dy shtete e rrjedhimisht 300 mijë euro kanë hyrë në arkën e shtetit.

“Nga data 6 nëntor kemi rreth 3 milionë më pak importe nga Serbia dhe Bosnja. Ose nëse marrim të dyja vendet së bashku kemi rreth 50% më pak importe nga këto dy vende”, kishte deklaruar në një intervistë për Telegrafin, Bahri Berisha – drejtor i Doganës së Kosovës.

Për këtë taksë kishte reaguar edhe BE-ja, ndërkaq kryeministrit Ramush Haradinaj  ka paralajmëruar mundësinë që kjo taksë prej  10% të rritet në të ardhmen./RTV Dukagjini/Telegrafi/