LAJMI I FUNDIT:

Rreth flamurit të përbashkuar

Rreth flamurit të përbashkuar

Flamuri shqiptar – shqiponja dykrerëshe e zezë në sfondin e kuq – është simboli më sublim i shprehjes së identitetit të shqiptarëve, kudo që jetojnë ata. Ky flamur ka mbajtur gjallë qenësinë shqiptare në rezistencën kundër pushtuesve të huaj, sidomos gjatë shekullit XX. Flamuri është dëshmi e besnikërisë ndaj atdheut dhe ndaj kombit. Prandaj, përderisa në pothuaj të gjitha shtetet e botës presidenti betohet mbi Biblën apo Kuranin, në Shqipëri betimi i tillë bëhet para flamurit.

Pas 28 Nëntorit 1912, shqiptarët e Shqipërisë ishin të lirë ta përdorin këtë simbol kombëtar, por e njëjta nuk vlente për shqiptarët e Kosovës. Ishte pikërisht ky mohim që cenonte më së shumti përkatësinë e tyre etnike, por edhe që përforconte bindjet patriotike dhe ndjesinë për rezistencë ndaj pushtetit jugosllav.


Historia e përdorimit të flamurit shqiptar në ish-Jugosllavi ndryshonte varësisht nga klima politike: herë lejohej përdorimi, e herë ndalohej – si u tekej serbëve që s’na bënin hesap. Pas Luftës së Dytë Botërore, me mbetjen sërish të padrejtë të Kosovës në ish-Jugosllavi, në heshtje dhe pa asnjë vendim u ndalua përdorimi i tij. Madje, shumë shqiptarë u dënuan me burg të rëndë, vetëm pse atyre u është gjetur ky flamur.

Gjërat nisin të ndryshojnë pas rënies së Aleksandër Rankovicit në Plenumin e Brioneve të vitit 1966. Në vitin 1967 delegacioni i Kosovës, i prirë nga Veli Deva, në takimin e parë me liderin e ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito, ndër të tjera kishte iniciuar edhe çështjen e lejimit të përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar. Zyrtarizimi i këtij lejimi u bë në mbledhjen e Kryesisë së Lidhjes Socialiste të Kosovës, më 4 tetor 1968, në Prishtinë, pasi paraprakisht ishte dhënë pajtimi në nivelet më të larta shtetërore të Federatës jugosllave.

Mirëpo, ky vendim erdhi pasi më 1968 shpërthyen demonstratat e studentëve shqiptarë të Kosovës, të cilët kërkuan të drejtat e tyre kombëtare: përdorimin e gjuhës shqipe dhe të flamurit kombëtar.

Këto demonstrata ishin kthesa kryesore në rrjedhat politike të Kosovës. Kërkimi i përdorimit të flamurit ishte luftë për identitet. E, ky identitet ishte halë në sy për serbët. Prandaj, më 1968, babai i kombit serb, Dobrica Cosic, thoshte: “Po ua lejuam flamurin, ata pastaj do të kërkonin edhe republikën, shtetin, dhe madje bashkim me Shqipërinë”.

Flamuri u lejua, por në vitet e ‘80-ta të shekullit XX nisën diskutimet edhe për ndërrimin e pamjes së tij, vetëm e vetëm të dallonte nga flamuri kombëtar që përdorej në Shqipëri. Një gjë e atillë u arrit deri-diku, duke e imponuar një yll të madh majtas, pra para shqiponjës dykrerëshe. Por, sa më shumë cenohej flamuri e luhej me të, sa më shumë që trashej ylli, aq më inat i vinte shqiptarit e më këmbëngulës bëhej ai në luftën e tij për liri.

Kosova u bë shtet 40 vite pas “legalizimit” të 1968-ës. Profecia e Cosicit u realizua jo krejt, sepse bashkimi me Shqipërinë nuk ndodhi. Ndërsa, flamur i Kosovës u bë një hartë e verdhë e Kosovës me gjashtë yje lartë, në një sfond të kaltër. Ide sa për të qenë dhe një kombinim i keq ngjyrash.

Sidoqoftë, shqiptari i Kosovës, i Maqedonisë, Malit të Zi, Greqisë e Luginës së Preshevës, ndonëse në aspektin administrativ u “bindet” flamujve shtetërorë, identitetin prapë e shpreh përmes flamurit kombëtar. Për të dëshmuar besnikërinë ndaj çështjes kombëtare dhe identitetit shqiptar, ata i përkulen flamurit dhe e puthin me pietet, siç bëri Isa Boletini në Vlorë, më 1912.

Flamuri është edhe thelbi i himnit kombëtar. Derisa te popujt tjerë esenca e himneve ndërlidhet me atdheun, kombin, luftën, lirinë, sundimtarët, Zotin, te shqiptarët në qendër është flamuri.

“O Flamur, flamur, shenj’ e shenjtë/ tek ti betohemi këtu/ për Shqipërinë, atdheun e shtrenjtë/ për nder’ edhe lavdimn e tu”, thotë një varg i himnit.

Me këtë flamur u shpall pavarësia e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Gjatë historisë atij i shtoheshin “dekore”: herë përkrenarja e Skënderbeut, herë simbolet fashiste, e herë ylli i Davidit apo ai komunist. Por, thelbi nuk u ndryshua: shqiponja dykrerëshe e zezë me sfondin e kuq. Me këtë flamur kuqezi u bë edhe betimi në luftën e fundit në Kosovë, në Maqedoni dhe në Luginë të Preshevës.

Por, gjërat kanë ndryshuar paksa tash vonë. Politika euro-atlantike i ka bërë politikanët shqiptarë të Kosovës më të “urtë”. Dhe, me këtë urtësi flamurin kombëtar e kanë vënë në plan të dytë. Dikush mund të thotë se kjo është lojë politike, dikush tjetër se s’kemi çare, e dikush se e “kënaqëm”. Për të ditur se cila është e vërteta, është mirë t’i kujtojmë shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi, Luginë të Preshevës, Maqedoni e Greqi, dhe kërkesat e tyre për përdorim të lirë të këtij simboli kombëtar, e po ashtu edhe urrejtjen që të tjerët e shprehin ndaj shqiptarëve pikërisht me djegien e tij, gjë që neve na bën të plasim për inati.

Prandaj, “rreth flamurit të përbashkuar/ Me një dëshir` e një qëllim”, duhet të jemi të gjithë ne, siç thonë vargjet e para të himnit tonë kombëtar.

Pa marrë parasysh frustrimet që shqiptarët i kanë me origjinën e këtij himni, me muzikë dhe tekst të adaptuar rumun, ky himn është mishëruar në psikologjinë dhe patriotizmin shqiptar. Prandaj, me të drejtë shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, thotë se frikën dhe optimizmin e mosshuarjes si komb shqiptarët e kanë përforcuar edhe nga Himni Kombëtar.

E, siç dihet, himni kombëtar është Hymni i Flamurit. Prandaj, kush nuk lufton për flamurin, “ai është i lindur tradhëtor”. Pikë.

Redaksia
Telegrafi.com


Për të mësuar më shumë për ngjarjet që kanë shënuar historinë shqiptare në 100 vitet e fundit, klikoni këtu.

Për të mësuar më shumë për historinë e flamurit kombëtar shqiptar, klikoni këtu.