Rreth 1.8 milion kosovarë përdorues të telefonisë mobile


Numri total i përdoruesve të telefonisë mobile në fund të tremujorit të parë (TM1 2017) ka arritur në 1,774,740 përkatësisht për 1.20 % më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM1 2016).
Ndërsa, krahasuar me tremujorin paraprak TM4 2016, numri i përdoruesve ka rënie 11.69% (ose 235,108 përdorues më pak).
Kështu thuhet në raportin e ri të ARKEP për tregun e telekomunikimeve në Kosovë, i cili vlen për tre muajt e parë të vitit 2017.
“Ngjashëm me numrin e përdoruesve, edhe penetrimi i shërbimeve të telefonisë mobile në periudhën raportuese ka shënuar rënie të konsiderueshme në krahasim me tremujorin paraprak, ndërsa rritje krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM1 2016). Penetrimi i shërbimeve të telefonisë mobile tani është në nivelin 97.75% të numrit të popullsisë” thotë raporti.
Ndarja e tregut në këtë tremujor gjithashtu ka ndryshuar, ku vërehet rritja e operatorit mobil IPKO edhe në të hyra por edhe në pjesëmarrje të përgjithshme të tregut mobil.
Në TM1 2017, IPKO mban 40.64% të tregut një rritje kjo nga 37.65% sa kishte në tremujorin paraprak.
Operatori publik i telefonisë mobile, Vala ka pësuar rënie në të hyra, nga 57.26% sa kishte në TM4 2017, në 53.08%, ndërkaq Z Mobile është rritur nga 4.25% sa kishte në TM4 në 5.30% në TM1 2017.
Vala tani mban 55.8% të tregut nga 59.8% sa kishte në tremujorin paraprak, ndërsa IPKO në TM1 2017 ka 35.7% nga 32.6% sa kishte në TM4 2017. Z Mobile ka shënuar rritje në numrin e përdoruesve, përkatësisht është rritur në treg nga 7.62% në 8.44%.

































