Deputetët i afruan qëndrimet dhe u dakorduan për aspekte të caktuara për reformat e Rregullroes, të cilat duhet t’i miratojë përbërja e ardhshme parlamentare, por megjithatë mbeten edhe dallimet kyçe, ky është epilogu nga dialogu i tretë në kuadër të procesit Zhan Mone në Kuvend.

Në dialog morën pjesë kryetari i shtëpisë ligjvënëse, Talat Xhaferi, deputetët nga partitë politike të cilat janë pjesë e Parlamentit, si dhe tre eurodeputetë, Ilhan Quçuk, raportues i përhershëm i PE-së për vendin, Andreas Shider, kryetar i delegacionit në Komitetin e përzier parlamentar BE-Maqedoni e Veriut dhe Marion Valsman, nënkryetare e Delegacionit të Komitetit të përzier parlamentar.

Siç njoftoi shërbimi kuvendor Xhaferi, rreth 90 prë qind e çështjeve për ndryshimet e Rregullores janë mbyllur, mes tyre është edhe ajo që të kufizohet koha për mbledhjen konstituive, por disa nga dallimet mbeten, siç është harmonizimi i Rregullores me emrin e ri kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut.

“Ka disa dallime lidhur me kriteret për zgjedhje të sekretarit të ardhshëm të përgjithshëm, dhe ndihmësve të sekretarit të përgjithshëm, në pjesën e risaktësimit në aspektin formal teknik të riformulohen, nuk ka dallime lidhur me përcaktimin politik për vendosje të parimeve për sekretarin e ardhshëm të përgjithshëm, dhe rreth nevojës për harmonizim të gjërave me ndryshime kushtetuese, duke pasur parasysh se ndodhemi në kohë para zgjedhjeve, atë
pjesë e lamë për përbërjen e ardhshme kuvendore që ta risaktësojë, në mënyrë që të mos hyjmë në debat politik në kohë para zgjedhjeve”, tha Xhaferi.

Lidhur me atë nëse ka marrëveshje për kufizimin e mbledhjes konstituive dhe nëse ka garanca se nuk do të përsëritet skenari i 27 prillit, Xhaferi tha se janë dakorduar për tajmingun për fillim dhe për përfundim të asaj mbledhje, por në thelb kjo nuk do të miratohet deri në konstituimin e përbërjes së ardhshme parlamentare.

“Ndërkaq për garancat se nuk do të përsëritet skenari, publikisht do të përsëris, sepse është kompetencë e imja, si kryetar i Kuvendit të thërras mbledhje në pajtim me rregullat ekzistuese, ta kryesoj mbledhjen e njejtë deri në zgjedhjen e kryetarit të ardhshëm të Kuvendit. Garancë është fjala ime, kështu që nuk do të shihni skena të tilla në mbledhjen e ardhshme konstituive”, tha Xhaferi.

Andreas Shider, kryetar i Delegacionit në Komitetin e përzier parlamentar BE Maqedoni e Veriut, tha se dy ditët e dialogut kaluan në atmosferë pozitive dhe e përfunduan punën me përpunimin e Rregullores së re të Parlamentit të
Maqedonisë së Veriut, me çka, siç tha, me qëllim që në të ardhmen përbërja e re e Kuvendit të punojë në mënyrë më efikase dhe me fokus më të madh në çështjet politike, ndërsa fokus më të vogël të taktizimit dhe bllokimit.

Tha se ideja për Zhan Mone të PE-së ishte të jetë partner neutral në proces dje kjo duhet të kihet parasysh posaçërisht në periudhën parazgjedhore.

“Dëshiroj të nënvizoj se të gjithë liderët politik ishin jashtëzakonisht konstruktiv për zgjidhje të problemeve që u cekën, dhe për zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm, për kalendarin, për kohën e debatimit. Ndërkaq atë që nuk mund ta bëjmë, posaçërisht para zgjedhjeve, është të japim përgjigje për atë që disa nga partitë do të donin ta cekin në plaketat e tyre parazgjedhore”, tha Shider.

Raportuesi i Parlamentit evropian për Maqedoninë e Veirut, Ilhan Quçuk, ndërkaq tha se edhe në të ardhmen do të bashkëpunojnë edhe me pushtetin edhe me opozitën, sepse ka nevojë për bashkëpunim të përforcuar kur bëhet
fjalë për reformat e ardhshme lidhur me BE-në.

“Kuvendi ka rol udhëheqës në demokracinë parlamentare, Procesi kyç i reformimit të vendit shkon përmes procedurave demokratike përmes arritjes së konsensusit mes partive politike dhe faktorëve të ndryshëm në shoqëri.
Transparenca, parashikueshmëria dhe inkluziviteti, janë pjesa kryesore e demokracisë parlamentare. Ne jemi miq të Maqedonisë së Veriut dhe do të vazhdojmë me qëndrimin tonë të fuqishëm, do të jemi miq edhe në të keq
edhe në të mirë. Këtu do të jemi për t’ju ndihmuar të arrini rezultate të mira që janë të rëndësishme jo për elitën politike të vendit, por më me rëndësi për shoqërinë qytetare dhe për njerëzit e Maqedonisë së veriut”, tha Ilhan Quçuk.

Koordinuesi i grupit të deputetëve të OBRM-PDUKM-së, Nikolla Micevski theksoi se kanë zgjidhur disa çështje teknike.

Koordinuesi i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitreski, e përsëriti qëndrimin se lënë bazë të mirë për përbërjen e ardhshme parlamentare që të vazhdojë të punojë në këtë mënyrë, apo nëpër këtë rrugë me shpresë, siç tha, se ajo që ndodhi në të kaluarën, të mos përsëritet asnjëherë.

Eurodeputetët Quçuk dhe Shider gjtihashtu porositën se Parlamenti evropian është mbështetës i madh i zgjerimit dhe i caktimit sa më të shpejtë të datës për negociata për Maqedoninë e Veriut. “Më me rëndësi është vendi të vazhdojë me reformat dhe të gjithë liderët partiak të kahëzohen dhe të angazhohen për politika progresive, e të mos tentojnë t’i ndryshojnë gjërat nga e kaluara”, ishin decidë eurodeputetët Ilhan Quçuk dhe Andreas Shider.

Shider tha se më me rëndësi është të vazhdohet me reformat, por gjithashtu të vihet argumenti në reformat të cilat tashmë u zbatuan, e të cilat, vlerësoi ai, nuk ishin të lehta për vendin.

“Bëtë hapa të mëdhenj duke filluar me zgjidhjen e çështjeve të caktuara me
fqinjët dhe vendosjen e një kulture më të mirë politike, por më me rëndësi
është të gjithë liderët politik të kahëzohen dhe të angazhohen për politika
progresive. Kjo është shumë me rëndësi, të diskutohet e ardhmja, të kërkohen
zgjidhje, dhe kur të gjenden ato, të miratohen, e jo çdoherë të kthehemi prapa
dhe të tentojmë t’i ndryshojmë gjërat nga e kaluara”, nënvizoi eurodeputeti
Shider.

Sipas Quçuk, në interesin më të mirë për Maqedoninë e Veriut është rruga drejt NATO-s dhe BE-së, dhe, siç tha, nëse ai është roli të cilin ju e shihni për ju, ne jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë në mbajtjen e vendit në rrugën e duhur.

Pjesa e tretë e dialogut Zhan Mone zgjati dy ditë dhe u mbajt në Shkup. Pas formimit të përbërjes së re parlamentare do të fillojë edhe dialogu i katërt i procesit Zhan Mone, siç cekën eurodeputetët, sepse përveç Rregullores, ka
edhe shumë çështje të tjera për të cilat duhet diskutuar.

Dy dialogjet e mëparshme u mbajtën në Ohër dhe në Shkup, ndërsa në to morën pjesë eurodeputetët nga përbërja e kaluar parlamentare evropiane, Ivo Vajgëll, Eduard Kukan dhe Knut Flekenshtajn.