LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi i rrallë i Maks Velos për djalin, burgun në Spaç dhe vuajtjet e familjes!

Rrëfimi i rrallë i Maks Velos për djalin, burgun në Spaç dhe vuajtjet e familjes!
Maks Velo (foto:: Fahredin Spahija)

Më 31 gusht do të shënonte 85-vjetorin, por një sëmundje e rëndë në gjak bëri që ditët e fundit t’i kalonte në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Vetmia Maks Velon e shoqëroi deri në përcjelljen e fundit…


Nga: Valeria Dedaj

“Detyra jonë bëhet nëse ti punon. Unë tërë jetën jam munduar të bëj detyrën time. Do të vdesë i qetë, sepse kam bërë detyrën”, ka thënë Maks Velo në korrik 2018, pasi botoi librin me dosjen të Sigurimit të Shtetit.

Ishte viti 1963, kur ai me stolin e famshëm të Parkut të Liqenit shënon skulpturën e parë moderne, e mandej projekton godina për të cilat do të flitej gjatë si ajo e ATSh-së më 1971, shkolla “Emin Duraku”, ish-hotel “Arbana”, ish kinema “Pionieri” më 1973, salla e “Milleniumit” etj., por mbi të gjitha pallati me kuba “Kadare”, që do të ishte si një meteor për jetën e vakët arkitektonike të asaj kohe. Ka edhe të tjera, të cilat nuk u realizuan si projekti modern për ndërtesën e Muzeut Historik Kombëtar, apo që u shkatërruan me urdhër nga lart – si dekoracionet e bakrit të rrahur për interierët e hotel “Vollgës”.

“Gjatë gjithë kohës kam tentuar të bëjë një arkitekturë moderne brenda mundësive tona”.

Fama e Velos, kjo liri artistike mënyrë jetese jashtë skemave të ngurta të atij sistemi, do të zgjonte smirën e kolegëve, deri edhe të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve ku ai qe anëtar.

Në vitin 1978 dënohet, sepse vepra e tij “inspirohej nga Modigliani, Braque dhe Picasso, duke iu kundërvënë metodës së realizmit socialist”. 249 vepra arti i digjen, një akt i paprecedentë as në sistemet më të egra.

“Një shtet tjetër do të vepronte ndryshe. Edhe kanë vepruar ndryshe. Për shembull, mua më kanë djegur 250 punë dhe nuk më kanë paguar për asnjë. Ndërsa, ligji është që duhet të më kompensonin”.

Asokohe ishte 43-vjeç dhe shqetësimi më i madh mbetej familja, që s’do lihej e përjashtuar nga mënjanimi i jetës sociale, përndjekjet, sulmet e goditjet e njëpasnjëshme.

“U zura dy herë në Spaç, njëherë me një shokun e krevatit dhe njëherë me një shok nga Kukësi, që donte të më vriste. Agjentët erdhën që të më rekrutojnë disa herë kur isha në burg. Unë nuk pranova. Pranova të shkoj punëtor për tërë jetën, por mos të bëhem bashkëpunëtor i Sigurimit. Unë insistoj që të shpreh idetë e mia, por është jashtë karakterit tim s’kam dal, që t’i bëja keq dikujt”.

Dhjet vjet në burg për idetë, për artin; dhjetë vjet të gjata meditimi për fatin e familjes, dhe të veprave që s’do ktheheshin më pas.

“Kjo është ajo që mua më rëndon më shumë, pasi as vrava, as spiunova, as përdhunova njeri. Vetëm se kam vizatuar dhe kjo ishte një gjë normale. Por, mënyra se si u hakmorën ndaj familjes ishte e tmerrshme. Kjo më rëndon akoma, sepse ata vuajtën të gjithë. Meraku im në Spaç nuk ishte që unë po vuaja, por se si vuanin babai, motrat, vëllai dhe nëna. Kam një motër, Rozën, që ka frikë akoma. Nuk del nga shtëpia. Nuk do të shikojë askënd. Na bënte mbledhje lagjja sikur të ishim çifutë, pa pasur asnjë arsye. Motra tjetër, Diana atë ditë që unë u arrestova shkoi në psikiatri. Nuk janë gjëra të vogla. Ishte tmerr, sepse e gjithë familja u shpall armik edhe ato të dyja mbetën prej meje pa martuar. Është shumë e rëndë dhe shumë e trishtuar historia e martesës sime, edhe e fëmijës. Unë që 1 vjeç nuk e kam takuar asnjëherë”.

Do të lirohej nga burgu në vitin 1986, por dhimbja e atyre viteve do ta ndiqte edhe në post-diktaturë, egërsinë e atij sistemi do ta shkarkonte në piktura, dhe vëllime me tregime si “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, i veprës autobiografike “Kohë antishenjë”, i shënimeve për arkitekturën “Paralele për arkitekturën”, i albumit “Jeta ime në figura”, “Grafika të realizmit socialist” etj.

“Punoj shumë, nëse nuk punoj duhet të marrë fund, të vdes. E vetmja gjë që më mban është puna”.

Pas vitit 1990, për të gjitha këto krime që i rënduan në mënyrën më makabre atij, dy motrave e vëllait, të gjithë familjes, askush s’do t’ju kërkonte falje.

“Ajo që është me rëndësi edhe që ne nuk e përballojmë dot është kërkimi i faljes. Asnjë nga këta nuk ka kërkuar falje. Kjo është shumë e rëndë. Ata vazhdojnë me të keqen. Gjithë kohës nuk më dhanë studio; punoj aty ku jetoj, tërë jetën. Më konsideronin diversant të artit, sepse nuk arrinin dot në përmasat. Artistët tanë ndahen në dy grupe: ata që ekspozojnë tek muzeu dhe të rinjtë që kopjojnë nga modele që marrin jashtë. Arti i vërtetë kërkon diçka e jotja, dhe unë jam munduar të bëj këtë gjë, të jap diçka personale. Edhe këtë e kam arritur duke marrë primitivitetin shqiptar e duke bërë me të art modern”. /Shqiptarja/

Maks Velo (foto:: Fahredin Spahija)

Në trend Kultura

Më shumë
Konstandini i vogël dhe kthimi i Odiseut

Konstandini i vogël dhe kthimi i Odiseut

Analiza
BEHAR

BEHAR

Poezi
AMANTE

AMANTE

Poezi
POPULLIT TIM

POPULLIT TIM

Poezi
S’MUND TA DIMË

S’MUND TA DIMË

Poezi
SISTEMI

SISTEMI

Fjala+
Kalo në kategori