Cristiano Ronaldo ka folur për sukseset e tij në vitin 2018 dhe planet e të ardhmes duke përfshirë kthimin në përfaqësuesen e Portugalisë, si edhe për një kthim të mundshëm në të ardhmen te klubi që e bëri të njohur, Sporting CP.

Gjatë një interviste për Record, 33-vjeçari ka thënë se viti që lamë pas ka qenë më i miri në karrierën e tij, edhe pse nuk e fitoi Topin e Artë.

“Unë nuk punoj për të thyer rekorde, por punoj për të mirën e klubit. 2018 ka qenë viti më i mirë në karrierën time”.

Cristiano Ronaldo (Foto: Getty Images/Guliver)

“Në Serie A më mbulojnë njësoj sikurse në Spanjë, mirëpo këtu ka më pak hapësirë, sepse të gjitha klubet kanë mbrojtje të shkëlqyera”, ka thënë ai rreth përvojës në Itali, ku po luan me Juventusin.

Lajmet për RONALDON Lajmet për RONALDON

Ronaldo ka folur edhe në lidhje me mundësinë për të ndjekur hapat e Luis Nanit, për t’u kthyer te klubi i fëmijërisë, Sporting CP, nga ku u largua në vitin 2003 për t’iu bashkuar Manchester Unitedit.

Nani dhe Cristiano Ronaldo (Foto: Michael Steele/Getty Images/Guliver)

“A do të kthehem te Sportingu si Nani? Në futboll kurrë nuk i dihet… Ishte vendimi i duhur për t’u larguar nga kombëtarja përkohësisht, por do të kthehem gjatë 2019”, është shprehur CR7.

Portugezi e ka bërë të qartë se nuk e ka në plan të largohet nga Juve në një të ardhme të afërt, sepse është një klub që e ka bërë të ndihet si në shtëpi porsa është transferuar.

“Të gjithë në Torino më kanë pritur në një mënyrë fantastike. Të gjithë po ndihemi shumë mirë. Nuk e di se kur do të përfundojë karriera ime, por jam mirë dhe dua të vazhdoj për shumë vite”, ka deklaruar Ronaldo. /Telegrafi/