LAJMI I FUNDIT:

Për historianët që krekosen e shesin mjegull

Për historianët që krekosen e shesin mjegull

Nga: Bajram Mjeku

Katër vjet më parë, më saktë më 7 shtator të vitit 2016, pata shkruar për qindra robër lufte shqiptarë nga Kosova, të cilët nga prilli i vitit 1941 e deri në maj të vitit 1944, kanë qëndruar në kampin Krefeld-Fichtenhain të Gjermanisë, derisa në fillim të majit të vitit 1944, autoritetet gjermane të kohës, kanë nisur t’i kthejnë në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në ish-Jugosllavi.


Këtë ngjarje të trishtë, të cilën mund ta lexoni më poshtë, pasi shkrimin e ripublikoj pa asnjë ndryshim, natyrshëm lind pyetja. Çfarë bëjnë historianët tonë, të cilët në vend që të investigonin këtë ngjarje tragjike e dhjetëra të tjera, viteve të fundit e kanë vënë në diskutim origjinën dhe identitetin nacional të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, por edhe të shumë figurave tjera kombëtare?!

Ngjarjen më poshtë, nuk do të mund ta hulumtonte vetëm një historian, apo një grup më i gjerë prej tyre, pa mbështetje institucionale, më saktë pa mbështetjen e Zyrës së Kryeministrit.

Luteni të lexoni shkrimin më poshtë dhe të gjykoni se a do t’ia vlente të hulumtohej kjo ngjarje, ku qindra shqiptarëve të pafat, sot e atë ditë nuk u dihet varri.

***

Robërit shqiptarë të kampit Krefeld-Fichtenhain që nuk u dihet varri

Mëngjesin e hershëm të 7 prillit të vitit 1941, aviacioni gjerman bombardoi kazermën ushtarake në Bjellovar të Kroacisë, i cili qeverisej nga Mbretëria e SKS-së. Në mesin e ushtarëve shqiptarë ishte edhe Shaban Xhema nga Dubovci i Drenicës, që është nën administrim të Komunës së Vushtrrisë, por edhe Ramiz Sadiku, i cili më vonë nga regjimi komunist u shpall hero i popullit.

Djali i Shabanit, Beqir Xhema me profesion inxhinier, sipas rrëfimeve të babait pohon se Ramiz Sadiku jo rrallë ushtarëve shqiptarë u fliste për “idealet komuniste!”. Para se të bombardohej kazerma, ai kishte marrë pushim dhe nuk ishte kthyer më.

Ushtarët shqiptarë dhe ata të nacionaliteteve tjera u zunë rob nga forcat gjermane dhe me tren u deportuan në kampin Krefeld-Fichtenhain të Gjermanisë, i cili ekziston edhe sot. Shaban Xhema ka qëndruar me numrin e robit të luftës 5822. Në kamp kishte edhe ushtarë e oficerë polakë, por edhe të nacionaliteteve tjera. Megjithëse robër lufte, ata janë trajtuar mirë.

Familja Xhema për katër vjet nuk ka ditur asgjë për djalin e tyre, por ditën e 30 prillit të vitit 1944 ka ndryshuar gjithçka. Sërish me tren qindra robër janë nisur për në vendlindje. Treni ka hyrë në Kosovë mëngjesin e 6 majit të vitit 1944. Drejtuesi i trenit ishte gjerman. Sapo kanë kaluar kufirin dhe pasi Shaban Xhema e njihte mirë gjuhën gjermane, robërit kanë kërkuar që ai të komunikojë me drejtuesin e trenit që ta ndalonte trenin ku dëshironin ata. Drejtuesi i trenit i thotë Shabanit se kishte urdhër që treni të mos ndalonte deri në Selanik të Greqisë. Sipas tij, ata që do të mbërrinin në Selanik do ta gjenin vdekjen. Drejtuesi i trenit u ka premtuar se do të zvogëlonte shpejtësinë sapo të kalonte stacionin e Vushtrrisë, në mënyrë që robërit të kërcenin nga vagonët. Shaban Xhema i njofton robërit nga vagoni në vagon, por shumë nga ata nuk janë bindur. Kanë besuar se pas fashizmit vjen liria për të gjithë. Ata ishin shumë. Nuk janë kthyer më dhe kurrë nuk është ditur për fatin e tyre. Drejtuesi gjerman e ka mbajtur premtimin. Shabani dhe disa të tjerë kanë kërcyer nga treni në Samadrexhë të Vushtrrisë.

Shaban Xhema ka ndërruar jetë më 9 shtator të vitit 1976. Autori i këtyre radhëve e kishte burrë të tezes. Megjithëse fëmijë, e mban mend si burrë të pashëm dhe me dinjitet, i cili vitet e fundit të jetës i kaloi në Vushtrri.

KrefeldKampi Krefeld-Fichtenhain, gusht 1943: Shaban Xhema, në pozitë të shtrirë – i treti nga e majta në të djathtë – dhe ushtarakët tjerë polakë robër lufte