LAJMI I FUNDIT:

Rizvanolli: Përfituan mbi 460 mijë familje nga subvencionimi i energjisë, deri më 15 mars parashikojmë t’i importojmë 300GWh rrymë

Rizvanolli: Përfituan mbi 460 mijë familje nga subvencionimi i energjisë, deri më 15 mars parashikojmë t’i importojmë 300GWh rrymë
Foto: Arkiv

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar se nga subvencioni i energjisë elektrike për periudhën shkurt-dhjetor 2022 kanë përfituar 467 mijë e 159 familje.

Rizvanolli gjatë një konference për medie, theksoi se mesatarja e përfituar për këto familje është 112 euro.


“Shuma e ndarë për këtë qëllim është 6.83 milionë euro, për periudhën shkurt-dhjetor. Mesatarja për familje është 112.25 euro për gjatë kësaj periudhe. Kanë përfituar 467 mijë e 159 familje, ndërsa bizneset dhe institucionet publike kanë përfituar 23.72 milionë euro ose 336.29 euro për secilin biznes, për ndriçim publik janë ndarë 672 mijë”, tha Rizvanolli.

Sipas saj, nga subvencionimi i pajisjeve për ngrohje, për fazën e dytë, janë rreth 9 mijë përfitues.

“Për sa i përket subvencionimit të pajisjeve eficiente për ngrohje, pas mbylljes së fazës së dytë, i kemi 8,774 përfitues dhe janë disbursuar 4.64 milionë euro, prej këtyre 1,476 janë përfitues të stufave individuale, klima eficiente janë 5,381, pompa termike 1,333 dhe kaldaja të biomasës janë 584”, theksoi ajo.

Po ashtu, Rizvanolli ka treguar se deri më 15 mars parashihet të importohen 300GWh rrymë.

“Janë disa parashikime, deri më 15 mars, që është periudhë kritike e dimrit, kemi paraparë se do të na nevojiten të importojmë 300GWh”, përfundoi ajo.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 118-të ka marr vendim që për të disatën herë të zgjas masat emergjente të energjisë elektrike edhe për 30 ditë.

Sipas arsyetimin, kjo zgjatje po bëhet për rrezikun e rritjes së çmimeve të rrymës në bursat ndërkombëtare. /Telegrafi/