LAJMI I FUNDIT:

Risteski: Prilepi dhe Maqedonia nuk kanë kapacitet të pranojnë emigrantë

Risteski: Prilepi dhe Maqedonia nuk kanë kapacitet të pranojnë emigrantë

“Qytetarët e Prilepit dhe Maqedonisë solidarizohen me situatën dhe problemet me të cilat ballafaqohen migrantët në Siri, Afganistan dhe shtete tjera, por Prilepi dhe Maqedonia nuk kanë mundësi dhe kapacitet të ballafaqohen me një valë të madhe të emigrantëve të cilët planifikojnë të vijnë këtu”, deklaroi kryetari i Komunës së Prilepit, Marjan Risteski, duke u përgjigur se cili është qëndrimi i tij lidhur me strategjinë e Qeverisë për të menaxhuar problemin me emigrantët, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Unë çdo ditë komunikoj me qytetarët dhe ata shprehen të revoltuar nga sjellja e tillë e Qeverisë. Dhënia eksprese e nënshtetësisë për emigrantët, do të ndikojë direkt në ndryshimet demografike në Komunën e Prilepit dhe në Maqedoni”, tha Risteski.


Ai shtoi se Prilepi ka përqindje të madhe të papunësisë të qytetarëve dhe në vend që të kujdesen për ata, do të duhet të zgjidhin marrëdhënine e punës së emigrantëve dhe refugjatëve.

“Gjithë ato para që do të shpenzohen për ndërtimin e banesave, tendave dhe infrastrukturës tjetër për emigrantët mund të përdoren për rajonet e romëve, të cilët duhet të jenë prioritet”, shtoi Risteski.

Ai në fund tha se komunikon edhe me kryetarët e komunave tjera dhe se qytetarët e Maqedonisë ndajnë mendimin e përbashkët me ata të Prilepit./Telegrafi/