LAJMI I FUNDIT:

Rifunksionalizimi i terminalit doganor të Trepçës, propozimi i anëtarëve të Bordit të ri të BQK-së dhe pagesa e shtesave për 86 mijë fëmijë përfitues – ngjarjet kryesore të javës në ekonomi

Rifunksionalizimi i terminalit doganor të Trepçës, propozimi i anëtarëve të Bordit të ri të BQK-së dhe pagesa e shtesave për 86 mijë fëmijë përfitues – ngjarjet kryesore të javës në ekonomi

Rihapja pas shtatë vjetësh të terminalit doganor në Trepçë, dërgimi në Kuvend i emrave të kandidatëve për tre anëtarë jo ekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe ekzekutimi i pagesave të shtesave për 86 mijë fëmijë përfitues për muajin tetor, ishin disa ngjarjet kryesore që e karakterizuan ekonominë e vendit këtë javë.

Pas shtatë vjetësh është rihapur terminali doganor i Trepçës në Mitrovicë. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në vitin 2014 padrejtësisht Trepçës i është privuar kjo hapësirë.

“Nga viti 2003 deri në vitin 2014, terminali doganor ka qenë në hapësirën e Trepçës. Padrejtësisht edhe çuditërisht kjo hapësirë i është privuar Trepçës për terminal doganor dhe i është dhënë një privati jashtë zonës së Trepçës, e ç’rast çmimi është shtrenjtuar në 40 euro për maune. Në këtë mënyrë kanë humbur bizneset, ka humbur Trepça dhe ka fituar një privat”, ka thënë Kurti, shkruan Telegrafi.

Sipas tij, asokohe 24 punëtorë kishin mbetur papunë kur e patën nxjerr jashtë kësaj hapësire këtë terminal.

“Shtatë vjet më vonë, ne po e bëjmë këtë hapje në hapësirën e Trepçës, po e rikthejmë atë që gjithmonë i ka takuar Trepçës, e në këtë mënyrë po e korrigjojmë një dëm të bërë para shtatë vjetësh. Asokohe 24 punëtorë kishin mbetur papunë kur e patën nxjerr jashtë kësaj hapësire terminalin”, ka shtuar ai.

Ndërsa, drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu është shprehur se hapja e këtij terminali është mjaftë i rëndësishëm për bizneset.

“Sot rihapet terminali doganor i Trepçës. Kjo është shumë me rëndësi për ekonominë, për arsye ndihmon bizneset dhe qytetarët që ofron çmime më të lira, po ashtu është atraksion për investimet e huaja”, ka treguar Llugaliu.

Ky terminal kishte operuar nga viti 2003 deri në vitin 2014.

Rihapet pas 7 vjetësh terminali doganor i Trepçës
Lexo po ashtu Rihapet pas 7 vjetësh terminali doganor i Trepçës

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere gjatë javës i ka përcjell Kuvendit emrat e kandidatëve për tre anëtarë jo ekzekutivë të Bordit të ri të BQK-së.

Në listën e parë për plotësimin e pozitës për një anëtar janë Bashkim Nurboja, Bedri Peci, But Dedaj, Kosovare Ukshini dhe Mimoza Mustafa.

Votimi për këta anëtarë do të bëhet me votim të fshehtë në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës.

Gjithashtu, ky Komision ka miratuar edhe një listë të dytë të shtatë kandidatëve potencialë për pozitën e dy anëtarëve tjerë joekzekutiv të Bordit të BQK-së. Lista e dytë e këtyre kandidatëve përbëhet nga Behxhet Brajshori, Driton Balaj, Edona Perjuci – Uka, Imrije Zeqiri, Nora Latifi – Jashari, Nuhi Ahmeti dhe Petrit Gashi

Edhe kjo listë pritet të dorëzohet në Kuvend, ku në njërën nga seancat e radhës pritet edhe votimi i tyre nga deputetët.

Kujtojmë se ka më shumë se një vit që BQK-ja ka mbetur pa Bord funksional në mungesë të kuorumit. Banka Qendrore e Kosovës për këto pozita kishte shpallur dy konkurse.

Dërgohen në Kuvend për votim emrat për anëtarë të Bordit të BQK-së
Lexo po ashtu Dërgohen në Kuvend për votim emrat për anëtarë të Bordit të BQK-së

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se janë ekzekutuar pagesat e shtesave për 86 mijë fëmijë përfitues për muajin tetor në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

“Pas zgjerimit të masës për shtesat e fëmijëve, kemi pasur një fluks enorm aplikimesh. Dhe sot më në fund, pas validimeve të nevojshme, është ekzekutuar pagesa e shtesave për fëmijë, për rreth 86 mijë përfitues, për muajin tetor”, ka njoftuar ministri Hekuran Murati ai në Facebook.

Ndryshe, të gjitha nënat që kanë lindur fëmijë nga 1 janari i vitit 2015 mund të aplikojnë për shtesa për fëmijë.

Dalin shtesat për muajin tetor për 86 mijë fëmijë përfitues
Lexo po ashtu Dalin shtesat për muajin tetor për 86 mijë fëmijë përfitues

Gjatë kësaj jave, po ashtu Agjencia e Punësimit ka njoftuar se kërkon t’i punësojë 100 praktikantë me pagesë në Administratën Tatimore të Kosovës.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transferëve (MFPT), Agjencia e Punësimit (APRK) dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit për angazhimin e 100 personave në praktikë profesionale në Administratën Tatimore të Kosovës, angazhimi i tyre është për gjashtë (6) muaj me pagesë”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

Agjencia kërkon nga të gjithë punëkërkuesit e interesuar që të vizitojnë ueb faqen e APRK ose Zyrat e Punësimit në komunën respektive për t’u pajisur me më shumë informata rreth punësimit, kritereve dhe mënyrës së aplikimit.

Afati i aplikimit është deri më 08 nëntor ora 16:00.

Agjencia e Punësimit kërkon t'i punësojë 100 praktikantë me pagesë në Administratën Tatimore të Kosovës
Lexo po ashtu Agjencia e Punësimit kërkon t'i punësojë 100 praktikantë me pagesë në Administratën Tatimore të Kosovës

Për sa i përket lajmeve ndërkombëtare, Kongresi amerikan ka miratuar një Projektligj për Infrastrukturën në vlerë prej 1.2 trilion dollarësh, duke përmbushur një shtyllë kryesore të axhendës së brendshme të presidentit Joe Biden pas muajsh diskutimesh të brendshme dhe ndarjeve të mundimshme midis demokratëve.

Votimi përfundimtar ishte 228-206. Trembëdhjetë republikanë votuan me shumicën e demokratëve në mbështetje të Projektligjit, megjithëse gjashtë demokratë votuan kundër tij.

Legjislacioni do të japë 550 miliardë dollarë investime të reja federale në infrastrukturën e SHBA-së gjatë pesë viteve, duke përfshirë paratë për rrugët, urat, tranzitin masiv, hekurudhat, aeroportet, portet dhe rrugët ujore. Paketa përfshin një investim prej 65 miliardë dollarësh në përmirësimin e infrastrukturës së brezit të gjerë të vendit dhe investon dhjetëra miliarda dollarë në përmirësimin e rrjetit elektrik dhe sistemeve të ujit. 7.5 miliardë dollarë të tjerë do të shkojnë për ndërtimin e një rrjeti mbarëkombëtar të mbushësve elektrik të veturave elektrike. /Telegrafi/