Revolucion te Bayerni, planifikohen shtatë largime në verë

Bayern Munich po përgatitet për një verë të nxehtë në merkato, ku ndryshimet në skuadër mund të jenë të thella.
Drejtuesit e klubit bavarez nuk përjashtojnë afrimin e një ylli të madh, por fillimisht synojnë të sigurojnë të ardhura përmes shitjes së disa lojtarëve.
Drejtori ekzekutiv Karl-Heinz Rummenigge ka lënë të hapur mundësinë për një transferim të bujshëm, ndërsa drejtori sportiv Max Eberl pritet të udhëheqë procesin e largimeve.
Sipas mediave gjermane, deri në shtatë lojtarë mund të largohen nga Allianz Arena. Në këtë listë përfshihen Kim Min-jae, Joao Palhinha, Bryan Zaragoza, Sacha Boey, Daniel Peretz, Arijon Ibrahimovic dhe Alexander Nubel.
Shumë prej këtyre futbollistëve janë aktualisht në huazim, përfshirë Palhinha (Tottenham Hotspur), Zaragoza (Roma), Boey (Galatasaray) dhe Peretz (Southampton). Dy të fundit pritet që klubet e tyre aktuale të ushtrojnë opsionin e blerjes.

Situata mbetet e paqartë për portierin Nübel, i cili është i huazuar te VfB Stuttgart, ndërsa e ardhmja e talentit të ri Ibrahimovic është ende në diskutim brenda klubit.
Ndërkohë, edhe pse Kim Min-jae ka shprehur kënaqësinë me rolin e tij aktual, ai vazhdon të konsiderohet si një kandidat për shitje. Raportime të tjera sugjerojnë se edhe Hiroki Ito mund të jetë në listën e largimeve.
Bayern synon që përmes këtyre shitjeve të krijojë hapësirë financiare për afrime të reja, përfshirë edhe zëvendësimin e Nicolas Jackson, i cili pritet të rikthehet te Chelsea pas përfundimit të huazimit.
Vera pritet të jetë vendimtare për drejtimin e ri të klubit bavarez, i cili synon të ruajë dominimin në Bundesliga dhe të rikthehet fuqishëm në arenën evropiane. /Telegrafi/



















































